Intensiteti i përhapjes së gripit sezonal ka shënuar rritje nga 15 dhjetori. Mes pacientëve me simptoma gripi janë regjistruar edhe 20 raste pozitive me COVID-19.
Në mesin e rasteve me simptoma të gripit sezonal, nga 29 shtatori deri më 24 dhjetor, janë identifikuar edhe 20 raste pozitive me COVID-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se nga 1 mijë e 93 mostra të testuara për grip, 180 kanë rezultuar pozitive me Influencë A, e cila është lloji më i përhapur aktualisht.
Sipas Institutit, COVID-19 rezulton me simptoma të njëjta me ato të gripit.
“Sa i përket COVID-19, simptomat janë të ngjashme me ato të gripit. Në periudhën nga 29 shtatori 2025 deri më 24 dhjetor janë regjistruar 20 raste të SARS-CoV-2 (COVID-19), që përbëjnë një numër shumë të vogël (1.82% pozitivitet i mostrave të testuara) dhe aktualisht paraqesin problem më të vogël krahasuar me gripin sezonal”, tha IKSHPK.
Praninë e Covid 19 e ka konfirmuar edhe Rushit Ismajli, i cili është specialist i mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
“Është virus i zakonshëm që e trajtojmë në mënyrë të zakonshme si çdo virus tjetër... nuk është ai dramaticiteti i cili ka qenë herës së kaluar, virusi e ka humbur atë fuqinë që e ka pasur edhe organizmi jonë është mësuar që ta kalojë dhe ka krijuar imunitet ndaj këtij virusi. Kështu që nuk është shqetësuese edhe kur pacientët dalin Covid pozitiv”, tha Ismajli.
Ndërkaq intensiteti i përhapjes së gripit sezonal, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka shënuar rritje për 3.5 për qind.
“Intensiteti tregon se ka raste të shumta të infeksioneve, pra të ngjashme me gripin, infeksione akute të rrugëve respiratore dhe raste të gripit, por simptomatologjia e gripit është e ngjashme gjithmonë dhe është e vërtetë se gripi mund të shkaktojë komplikime shumë të rënda dhe gjithashtu vdekje”, tha IKSHPK.
Gjatë muajit dhjetor është rritur edhe numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Sipas specialistit Ismajli, një mjek i vetëm trajton rreth 30 pacientë në ditë, ku gjysma paraqiten me simptoma gripoze.
“Situata është e përballueshme edhe pse kemi numër të shtuar të pacientëve që kërkojnë ndihmë shëndetësore, edhe është një numër më i madh sesa në muajin e kaluar por prapë është e përballueshme për stafin tonë, jemi në gjendje që të ofrojmë ndihmë shëndetësore këtyre njerëzve”, tha Ismajli.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal, si masë për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe përhapjen e virusit.