Arbëri

Mënyra jo e duhur e jetesës, shkaktarja kryesore e shfaqjes së hipertensionit edhe tek të rinjtë

Hipertensioni vazhdon të jetë diagnoza më e shpeshtë ndër sëmundjet kronike në Kosovë, duke e përfshirë gati gjysmën e rasteve të raportuara. Sipas mjekëve, mënyra e jetesës dhe e ushqyerjes luajnë rol kyç. Po ashtu, si shqetësim është shprehur ulja e moshës së pacientëve me këtë sëmundje

Hipertensioni është sëmundja kronike më e shpeshtë që diagnostikohet te pacientët në Kosovë. 

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK) deri në vitin 2023, çdo i dyti pacient që lëngon nga një sëmundje kronike është i diagnostikuar me hipertension, gjendje kjo mjekësore kronike në të cilën presioni i gjakut në arterie është më i lartë se normalja.

“Numri i rasteve me hipertension të raportuara në regjistrin populativ në Departamentin e Statistikave Shëndetësore në IKSHPK për vitin 2023 është 20,472 raste. Hipertensioni mbetet diagnoza më e raportuar ndër sëmundjet kronike, duke përbërë 49.6 për qind të të gjitha rasteve kronike të evidentuara”, kanë thënë në IKSHPK.

Në këtë Institut nuk kanë ofruar të dhëna për vitin 2024 dhe as për muajt e parë të vitit aktual.
E, sipas Qendrës Klinike Universitare (QKUK), vetëm në Klinikën e Kardiologjisë gjatë vitit të shkuar janë trajtuar gati 19 mijë pacientë, prej të cilëve mbi 13 mijë kanë qenë me diagnozë të hipertensionit arterial. Faik Shatri, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë, ka bërë të ditur se vetëm gjatë gjashtëmujorit të vitit 2025 janë trajtuar rreth gjysma e pacientëve të regjistruar gjatë vitit të kaluar.

“Gjatë vitit 2024, në Ambulancën Specialistike të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK janë trajtuar gjithsej 18,840 pacientë, prej të cilëve 13,443 kanë pasur diagnozë të hipertensionit arterial (HTA). Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, janë trajtuar në të njëjtën ambulancë 6,672 pacientë me hipertension arterial”, ka thënë Shatri.

Ai ka bërë të ditur se mënyra e jetesës dhe e ushqyerjes janë të lidhura ngushtë me këtë sëmundje.
“Dietat me shumë kripë dhe pak fruta e perime, aktiviteti fizik i paktë, pesha e tepërt, përdorimi i duhanit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit janë ndër shkaktarët më të zakonshëm. Edhe stresi kronik, që shpesh e nënvlerësojmë, luan rol. Për shkak të rritjes së faktorëve të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, ne e shohim një prirje globale në rritje të infarktit të miokardit. Edhe Kosova, fatkeqësisht, e ndjek këtë tendencë. Vërejmë se numri i pacientëve me sëmundje koronare është i lartë dhe kërkesa për procedura ndërhyrëse po rritet”, ka thënë Shatri.

Edhe kardiologu, Edmond Haliti, ka thënë se në trendin në rritje të paraqitjes së kësaj sëmundjeje në mesin e të rinjve ka ndikim stili i jetesës.

“Është një sëmundje, e cila është në rritje, me incidencë dhe prevalencë në rritje, dhe mbi të gjitha, një sëmundje, e cila sjell në vete, në terma afatgjatë, edhe komplikime të shumta jo vetëm në zemër, por edhe në dëmtimin e veshkave, edhe në dëmtimin e syve, në dëmtimin e enëve periferike. Problem është edhe për gratë shtatzëna dhe tendenca është që kjo sëmundje, si shumica e sëmundjeve moderne, të themi kushtimisht, që përveç që i prekin moshat më të vjetra, siç ka qenë botëkuptimi i dikurshëm, tashmë të zbresë në moshë. Ne kemi shumë pacientë në moshë edhe më të re, të cilët kanë hipertension dhe kjo lidhet sigurisht me ndryshimin e stilit të jetesës”, ka thënë ai.

Kardiologu Haliti e ka theksuar edhe rëndësinë e mosneglizhencës së simptomave, pasi ka thënë që kjo sëmundje shfaqet shpesh në heshtje.

“Problemi kryesor me hipertensionin është se është një sëmundje e heshtur, është një sëmundje tinëzare, shpeshherë quhet edhe vrasës i heshtur. Pra, pacientët me hipertension në fazat e tyre fillestare nuk e kanë as edhe një simptomë”, ka bërë të ditur Haliti.

Pacientët me hipertension, shërbime marrin edhe në nivelin e kujdesit parësor.

Brenda një jave, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë trajtuar 127 qytetarë me hipertension. Në këtë QKMF, që nga muaji prill është hapur edhe një këshillimore për pacientët me diabet dhe me hipertension. 

Edhe specialistja e Mjekësisë Familjare, Albana Morina, ka theksuar se viteve të fundit nga hipertensioni janë prekur edhe të rinjtë.

“Përpara ka qenë mosha që është shfaqë, ndoshta prej moshës 40 deri në 50 vjeçare, mirëpo stili i jetës ka ndikuar që hipertensioni të shfaqet edhe te moshat e mëhershme. Kështu që, duhet pasur kujdes secili për shëndetin... Do të doja të apeloja te qytetarët dhe t’ju tregoj që hipertensioni shpesh mund të jetë i heshtur, edhe nuk duhet neglizhuar kontrollet, qoftë edhe për një matje të shtypjes. Ushqehuni shëndetshëm, ndryshojeni stilin e jetës”, ka rekomanduar Morina.

Specialistja Morina i ka numëruar edhe disa prej simptomave që mund të jenë paralajmëruese për paraqitjen e shtypjes së lartë të gjakut. 

“Simptoma e parë ndoshta mund të them se është kokëdhimbja. Pacienti ka kokëdhimbje, të vjella mund të ketë, lodhje, ushtimë në veshë, ndonjëherë edhe gjakderdhje nga hunda, mirëpo hipertensioni mund të jetë i heshtur dhe për atë është e rëndësishme të bëhen kontrolle rutinore”, ka thënë ajo, teksa ka dhënë edhe këshilla për masat e kujdesit që duhen ndërmarrë. “Fillimisht, duhet të kihet kujdes që të mos konsumohet kripa shumë, të shmangen yndyrat, brumërat. Zakonisht duhet t’i kushtohet më shumë kujdes (konsumimit të) perimeve, pemëve të freskëta, aktiviteti fizik. Është shumë e rëndësishme që për 30 minuta, të paktën 5 ditë në javë, të merremi me aktivitet, qoftë me ecjen, vrapimin, notin, çiklizmin apo cilido qoftë prej aktiviteteve. Duhet të shmanget pirja e duhanit dhe alkoolit, sepse janë të dëmshme dhe ndikojnë në shfaqjen e hipertensionit”, ka thënë Morina.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vlerat mbi 140 me 90 konsiderohen si hipertension. Në rast se nuk trajtohet, hipertensioni mund të shkaktojë goditje në tru, infarkt të miokardit, Insuficiencë kardiake, dëmtim të veshkave, aneurizma, si dhe probleme me shikimin. E ndër shkaqet kryesore të hipertensionit konsiderohen trashëgimia, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i tepërt i kripës, stresi, konsumimi i alkoolit dhe i duhanit, si dhe sëmundjet e veshkave apo të hormoneve.

Ky artikull / kjo storie është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit “Shërbimet Shëndetësore të Integruara” (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli/kësaj storieje nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së.