Arbëri

Mehmeti: Adem Jashari ishte frymëzim për t’iu bashkuar UÇK-së

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nagip Mehmeti ka thënë se komandanti legjendar Adem Jashari ishte frymëzim që të rinjtë t’i bashkoheshin UÇK-së në vitet ’90.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së të martën, në 26-vjetorin e rënies së familjes Jashari, Mehmeti ka rrëfyer se komandanti Adem Jashari dhe familja e tij ishin burim frymëzimi për të luftuar për çlirimin e Kosovës.

Mehmeti e kujton 5 marsin si “datë të veçantë në historinë e Kosovës”.

Ka treguar se me familjen Jashari janë njohur që nga viti 1991. Në rrethimin e familjes Jashari nga forcat serbe më 1998, Mehmeti ka kujtuar se ishin nisur për në Prekaz për t’i dalë në ndihmë, por siç thotë ai, nuk arritën të afroheshin.

“Më 22 janar 1998, familja Jashari u rrethua. Atë ditë, rreth orës 6 në mëngjes, i kemi ni krimsat e para. Pas dy ore, unë me Murat Mehmetin kemi shkuar në Prekaz, por kemi mundur të kalojmë deri te ‘shkolla e Lushtakëve’. Më tej s’kemi mundur të ecim dhe jemi kthyer”, ka thënë ish-ushtari i UÇK-së, duke shtuar se porosia e Adem Jasharit ishte që secili të qëndronte në pozicionet e veta edhe nëse do të kishte sulm.

Në familjen Mehmeti, siç ka rrëfyer Nagipi, u strehua për dy muaj pas rrethimit nipi i komandantit legjendar, Bashkim Jashari, që tash shërben si komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Më 5 mars të vitit 2024 u shënua 26-vjetori sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.