Ushtria e Kosovës të mërkurën ka mbushur katër vjet që nga themelimi me ligj si forcë ushtarake e profesionale. Më 14 dhjetor të 2018-s, në Kuvendin e Kosovës u votuan ligjet që i dhanë Forcës së Sigurisë mandatin dhe kompetencat e Ushtrisë së Kosovës.
Si moment krenarie e mburrjeje është kujtuar kjo ditë nga politikanët në vend.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se kjo ditë e gjen Ushtrinë me suksese të mëdha.
“Përkundër sfidave të ndryshme, rrugëtimi ynë me vizion të qartë është i pandalshëm drejtë synimit tonë. Ushtri me ushtarakë me moral të lartë, të arsimuar, stërvitur, të pajisur dhe të gatshëm për realizimin e misionit të shenjtë në mbrojtje të Atdheut dhe qytetarëve tanë. Ushtri e ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar mbi gjakun, djersën e mundin e heronjve , dëshmorëve e martirëve të kombit ndër breza”, ka shkruar ai duke uruar ushtarakët e qytetarët.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që ishte në pushtet kur u votua formimi i Ushtrisë, ka kujtuar votimin duke ndarë fjalimin që pati mbajtur atë kohë.
“Kosovë, urime katërvjetori i Ushtrisë! Krenar që pata mundësinë ta vendos një gur në themelin e Ushtrisë së Kosovës!” është shprehur Haradinaj.
Edhe
Haradinaj: Shtatë vjet ushtri, vendimi që vulosi sovranitetin e Kosovës
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës është shprehur se themelimi i ushtrisë është një nga proceset më të rëndësishme të determinimit të shtetësisë dhe sovranitetit të vendit.
“Ushtria e Kosovës, e cila ka përvetësuar standardet e NATO-s, si dhe zotëron e dëshmon nivel të lartë të përgatitjes profesionale, sot është e gatshme për çdo mision ushtarak, duke e bërë krenar secilin prej nesh”, ka shkruar Krasniqi.