Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mehaj: Kërcënim për komunitetin serb janë grupet e dirigjuara nga Beogradi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi se institucionet e Kosovës janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, duke shtuar se i vetmi kërcënim për komunitetin serb “janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi”.

Ministri Mehaj shkroi në Facebook se veprimtaria e këtyre grupeve duhet të ndalet sa më parë, e për këtë sipas tij, institucionet janë në koordinim me Policinë dhe KFOR-in.

Ai tha se e ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufi me Kosovën dhe largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, janë veprime me tentim të destabilizimit të vendit, me ç'rast, u shpreh se dënon një qasje të tillë.

“Këto veprime janë pengesa e vetme që të arrihet një marrëveshje që do lejonte të dyja shtetet të ecin para për t'u integruar në Bashkimin Evropian. Ministria e Mbrojtjes ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie. I vetmi kërcënim për komunitetin serb janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë, dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it. Prandaj, apelojmë të gjithë qytetarët e vendit e specifikisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprere nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën”, shkroi Mehaj.