Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mega-Qeveria, plotësim i apetiteve dhe i interesave personale

Me gjithë numrin e madh të ministrive dhe administratës së ngarkuar me nëpunës, apetitet politike dhe interesat po vazhdojnë të rrisin numrin, si të ministrive, ashtu edhe të të punësuarve.

Nga 19 ministri sa kishte në qeverinë e kaluar, në të tashmen numri i tyre ka shkuar në 21, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me 21 ministra dhe staf përcjellës, me minimum 42 zëvendës-ministra dhe staf përcjellës, numri i të punësuarve në administratën publike vetëm sa do të ngarkohet.

Njohësit e çështjeve të ekonomisë një zhvillim të tillë e shohin të dëmshëm, si për buxhetin e vendit, ashtu edhe për plotësimin e agjendës së integrimit, nga e cila kërkohet ulje e numrit të të punësuarve në administratë.

Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, thotë se bazuar në nevoja, Kosovës i duhen vetëm 12 ministri.

Për të përmbushur apetitet e partive në koalicionin qeverisës, zhvillimi rural u hoq nga Ministria e Bujqësisë, Inovacioni u hoq nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përderisa çështja e investimeve iu bart Ministrisë së Diasporës nga ajo e Tregtisë.

Një lëvizje e tillë e ka bërë edhe më të paqartë funksionimin e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, e cila si mision të vetin e ka edhe nxitjen e investimeve.

Për këtë të fundit ishte planifikuar të lëvizte në zyrën e Kryeministrit pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investimet Strategjike.

Përpos tërë këtyre ministrive, qeveria ka edhe 5 zëvendëskryeministra 3 nga të cilët nuk kanë ndonjë post tjetër ministror.

Nëse krahasohet ky numër i kabinetit qeveritar me dy shtetet fqinje që kanë numër të përafërt të banorëve, del të jetë i madh.

Në Maqedoni që jetojnë pak më shumë se dy milionë banorë ka 20 ministri, ndërsa ka 5 zëvendëskryeministra, të gjithë me poste ministrore.

Kurse, në Slloveni me numër e po aq të banorëve janë 14 ministri dhe 3 zëvendëskryeministra të ngarkuar edhe me nga një pozitë ministrore.

Në Shqipëri ku numri i banorëve është 2.9 milionë janë vetëm 13 ministri, ndërsa ka vetëm një zëvendës-kryeministre.

Në Serbi ku jetojnë 8.7 milionë banorë, janë 21 ministri dhe 4 zëvendës-kryeministra të ngarkuar edhe me nga një post ministror.

Në Mal të Zi, ku jetojnë 626 mijë banorë, janë 19 ministri e 3 zëvendës-kryeministra.

Bosnja që ka 3.7 milionë banorë ka vetëm 2 zëvendës-kryeministra të ngarkuar me pozita ministrore dhe 14 ministri.