Arbëri

MeF prezanton transparencën fiskale online

Transparenca fiskale ofron informata të detajuara mbi pranimet dhe pagesat fiskale të Qeverisë së Kosovës, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

“Ministria e Financave ka si synim themelor përmirësimin e llogaridhënies ndaj qytetarit përmes ngritjes së transparencës fiskale. Për këtë qëllim, ju kemi ftuar sot për të ju njoftuar rreth një hapi të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së informatave që i ofrohen publikut mbi operacionet financiare të Qeverisë së Kosovës”, tha ministri i Financave Avdullah Hoti, sot në Konferencën për Media, në të cilën prezantoi para mediave për herë të parë publikimin e të dhënave mujore fiskale “Seritë kohore” për një periudhë 11 vjeçare.

“Në web-faqen e Ministrisë së Financave kemi krijuar një seksion të ri – të quajtur TRANSPARENCA FISKALE - ku do të ofrohen informata të detajuara dhe me frekuencë të lartë mbi pranimet dhe pagesat fiskale të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Përmes këtij seksioni, ju si media, dhe qytetarët në përgjithësi, do të keni mundësinë e monitorimit të performancës fiskale të Qeverisë së Kosovës në baza mujore, dhe brenda një konteksti më të gjerë kohor”, shtoi Hoti.

Ai bëri të ditur se ky përmirësim vjen si rezultat i një pune të gjatë të Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave në bashkëpunim me Programin e Partneritetit për Zhvillim të USAID.