Arbëri

Mediat serbe: Rreth 10 mijë serbë nga Kosova shkuan në Serbi në mbështetje të Vuçiqit

Mediat në Serbi po raportojnë se rreth 200 autobusë me serbë të Kosovës janë nisur të enjten dhe të premten në mëngjes nga Kosova për në Beograd, për të marr pjesë në tubimin e organizuar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të mbahet të premten.

KosovoOnline raporton se në Serbi kanë shkuar serbë nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin-Potoku e Shtërpca, siç thuhet me ftesë dhe detyrim të Vuçiqit, për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga ai, si kundërpërgjigje ndaj protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që kanë protestuar për ditë me radhë kundër pushtetit aktual.

Sipas mediave serbe shumë serbë janë nisur me vetura, gjë që thuhet se tregon se mbi 10 mijë serbë të Kosovës kanë shkuar në Beograd, në mbështetje të Vuçiqit.

Sipas KosovoOnline të enjten rreth orës 19:00 serbët e parë janë nisur nga Anamorava, ndërsa deri në mëngjes rreth 60 autobusë nga Ranillugu, Kamenica, Ropotova, dhe vende të tjera kishin kaluar vendkalimin kufitar.

Serbët nga Shtërpce thuhet se janë nisur rreth mesnatës me rreth njëzet autobusë dhe vetura, dhe pas mesnate janë nisur edhe kolona me dhjetëra autobusë nga Mitrovica e Veriut dhe Graçanica.

Para mëngjesit thuhet se janë nisur edhe autobusët nga Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin-Potoku.

KOHA ka kërkuar një përgjigje lidhur me këto raportime nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet.