Arbëri

Me test Komuna e Prishtinës synon t’i ndërgjegjësojë qytetarët për lirimin e rrugëve afër shkollave

Në vazhdën e aktiviteteve për promovimin e lëvizjes së lirë nëpër kryeqytet, Komuna e Prishtinës ka organizuar një “Festë n’Rrugë” , duke bllokuar rrugën përpara shkollës "Elena Gjika".

Ky është një testim i radhës i komunës së Prishtinës, të cilën po e bën për ndërgjegjësimin për lirimin e rrugëve afër shkollave për të mirën e fëmijëve dhe gjithë komunitetit përreth.

Këshilltari komunal, Pëllumb Bajçinovci ka thënë se ky veprim është ndërmarrë që të kuptohen veprimet që do ndërmerren në të ardhmen për këtë rrugë.

“Ka ardhur koha për të nxitur udhëtimin aktiv për në shkollë dhe për ta bërë të qartë se automjetet nuk kanë vend jashtë dyerve të shkollës. Janë disa ide për këtë rrugë, ose ta shndërrojmë në një rrugë njëkahëshe ku në njërën anë mund të lëvizin veturat, e një pjesë të lihet vetëm për parkimin e veturave të prindërve që vijnë të sjellin apo marrin fëmijët nga shkolla. Mirëpo për këtë duhet t'i pyesim edhe banorët e kësaj lagjeje”, ka thënë ai.

Sipas Bajçinovcit një veprim i tillë parashihet të bëhet edhe tek shkollat e tjera të Prishtinës.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ky është një pilot-projekt që do të vazhdojë edhe me shkolla të tjera. 

"Jemi sot këtu të krijojmë sa më shumë hapësira të sigurta për fëmijët tanë. Është pilot-projekt që kemi filluar me Elena Gjikën dhe do vazhdojmë edhe me shkollat tjera. Por sot kemi ardhur që të marrim dhe një ‘feedback’ nga banorët. Veturat i përdorim për të dalë jashtë qytetit, ndërsa brenda qytetit do përdorim biçikleta dhe trotinete", ka thënë Përparim Rama.