Arbëri

Me mesazhe provokuese serbët po festojnë Vidovdanin

Qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen te manastiri i Graçanicës për të festuar Vidovdanin.

Të pranishëm atje janë edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. 

Disa prej serbëve që janë duke e festuar Vidovdanin kanë veshur bluza me hartën e Kosovës në të cilën ndër të tjera shkruan “Nuk e jap”.

Gjithashtu në qendër të hartës së Kosovës shihet një kryq ku në çirilicë shkruan “rrënjët e mija”.

“Frikohuni qen”, “Bijtë serbë” e “Zoti me ne” janë tri nga citatet tjera të shkruara në këto bluza.

Image

Ceremonia e Vidovdanit është udhëhequr nga patriarku Porfirije. “Zoti thotë duajeni njeri-tjetrin”, është shprehur Porfirije.

Ai ka numëruar të gjithë tempujt ortodoksë derisa ka thënë se këtu janë në shtëpinë e tyre. “Këtu e dimë se kush jemi e çka jemi. Këtu e dimë nga kemi ardhur dhe qëllimin pse ekzistojmë. Këtu jemi në shtëpinë tonë. Këtu ia përsëris vetes dhe ua kujtoj krejt vëllezërve e motrave, krejt njerëzve në botë se këtu jemi në shtëpinë dhe vatrën tonë. Këtu jemi, kudo tjetër jemi të huaj”, ka theksuar Porfirije.

Pas rreth pesë orësh qytetarët serbë që ishin mbledhur në Graçanicë për të festuar Vidovdanin, janë shpërndarë duke kënduar kënge nacionaliste serbe.

Image

Ndër vite, Vidovdani është organizuar më 28 qershor në Gazimestan.

Por javën që shkoj dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka vendosur që sivjet manifestimi i Vidovdanit të organizohet në Manastirin e Graçanicës dhe jo në Gazimestan, siç bëhej deri tash. Kjo dioqezë ka arsyetuar vendimin me “situatën aktuale të sigurisë”. Gjithashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë mbrojtje nga KFOR-i, sepse “nuk i beson Policisë së Kosovës”.

Ndërkohë të martën Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë për festën e Kurban Bajramit dhe Vidovdanit, ndërsa ka publikuar një varg masash që këto festa të shënohen pa incidente.

Policia ka njoftuar se një nga masat është edhe mbyllja e hyrje daljeve në qytetin e Graçanicës.

“Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit”, thuhej në njoftimin e Policisë.