Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Më 5 qershor në tërë vendin aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”

Për nder të 5 Qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit, Let’s Do It Kosova do të organizojë aksionin e madh “Ta Pastrojmë Kosovën” në të gjitha komunat e Kosovës.

Aksioni i pastrimit i organizuar nga Let’s Do It Kosova do të mbahet në kuadër të aktiviteteve të parapara nga një këshill i përbashkët që përbëhet prej Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor dhe OJQ-ve mjedisore.

Dita Botërore e Mjedisit përveç aksionit të madh të pastrimit në tërë Kosovën, do të shënohet edhe me aktivitete të tjera të shumta, organizuar nga MMPH-ja dhe OJQ të tjera, si GAC, REC dhe PAMKOS.

Tashmë, Let’s Do It Kosova ka filluar organizimin e këtij aksioni, i cili do të realizohet në bashkëpunim me komunat e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, KMDK-në, OJQ e grupe vullnetarësh nga e tërë Kosova, kompani të pastrimit të mbeturinave dhe kompani të shumta private, që do të ofrojnë makineritë e tyre për largimin e mbeturinave gjatë aksionit. Ndërsa, kompanitë private, si Scampa, Meridian e Dita do të ofrojnë mjete logjistike.

Let’s Do It Kosova u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që më 5 qershor të dalin në aksione për largimin e mbeturinave nga deponitë ilegale, në mënyrë që të gjithë së bashku të japim kontributin tonë për përmirësimin e imazhit të vendit.

5 Qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ndërsa qëllim i kësaj dite është që të nxisë aktivitete dhe aksione për arritjen e ndryshimeve pozitive në mbrojtje të mjedisit.