Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbyllje e pjesshme

Niveli parauniversitar dhe universitar online, çerdhet vazhdojnë punën

Image

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që niveli parauniversitar dhe ai i arsimit të lartë të kalojnë në mësimin online, ndërkaq institucionet parashkollore të vazhdojnë punën. Sipas vendimit të Qeverisë, provimet do të mbahen në mënyrë fizike duke respektuar masat. Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kundërshtuar mbylljen e shkollave duke kërkuar që të mundësohet mësimi me prani fizike

Edona Kutleshi - Maliqaj

Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar nga data 12 deri më 18 prill janë të obliguara që të organizojnë mësimin online. Po ashtu, nga data 6 deri më 18 prill mësimin online janë të obliguar ta organizojnë edhe institucionet publike dhe private universitare. Ky është vendimi që është marrë të hënën nga Qeveria e Kosovës në kuadër të masave të reja.

Sipas këtij vendimi, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër Covid-19.

Edhe Nxënësit dhe prindërit e konsiderojnë të panevojshëm Testin e Arritshmërisë Arbëri 4 j. më parë Nxënësit dhe prindërit e konsiderojnë të panevojshëm Testin e Arritshmërisë

Përjashtim nga pika 16 bën mbarëvajtja e provimeve, të cilat mund të mbahen fizikisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, por duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u bërë ndarja në grupe nga 10 persona.

Qeveria ka vendosur që konviktet dhe mensat të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 deri më 18 prill.

Po ashtu, të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtëmësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve-studentëve.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Këshillit të Prindërve të Kosovës. Ky këshill ka theksuar se arsimi parauniversitar nuk duhet të mbyllet për shkak se numri i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar nuk është i lartë. Këshilli ka apeluar tek Qeveria që të mundësohet mësimi me prani fizike nëse duan që të mos dështojë ky vit shkollor.

Një ditë më parë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është ankuar se nëse mbyllen shkollat dhe kalohet në mësimin online, më së vështiri do ta kenë mësimdhënësit, por, ka shtuar se, do ta respektojnë çfarëdo vendimi.

Vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç nis në fundjavë

Image

Njëmbëdhjetë persona kanë vdekur dhe 512 raste të reja me COVID-19 janë raportuar të hënën në Kosovë. Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 4818 testime. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se në fundjavë pritet të fillojë vaksinimi i personave të moshuar mbi 80 vjeç. Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se së shpejti do të furnizohen edhe me 75 mijë doza të tjera. Nga kontingjenti prej 24 mijë dozash që kanë mbërritur në Kosovë kanë përfituar afro 3 mijë punëtorë shëndetësorë

Sanie Jusufi

Vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 80-vjeçare i paraparë të fillojë të martën, nuk do të ndodhë të paktën deri në fund të kësaj jave. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, të martën dhe të mërkurën do të vaksinohen nëpunësit e institucioneve shëndetësore private dhe atyre të nivelit të kujdesit parësor shëndetësor.

“Deri më tani vaksinimi është zhvilluar kryesisht për nivelin terciar, pra për shërbimin spitalor dhe të Klinikës Universitare të Kosovës, por edhe për kujdesin parësor të Prishtinës, për t’u zgjeruar pastaj me punëtorët e stafit të spitaleve të përgjithshme, ndërsa prej nesër pra edhe kujdesi parësor në komunat e tjera të Kosovës, ndërsa kah fundi i javës ne presim që të fillojë me vaksinimin edhe të grupmoshës mbi 80-vjeçare”, ka theksuar Hoti.

Kosova është e fundit në rajon që është furnizuar me vaksina. Për këtë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se problem paraqet mosnjohja e Kosovës nga dy fuqitë e mëdha. Por ka thënë se janë në pritje të 75 mijë dozave të tjera, për të cilat nuk ka dhënë detaje se kur do të vijnë apo me cilën kompani janë duke negociuar.

“Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skeptizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka theksuar Kurti.

Vaksinimi i punëtorëve shëndetësor në sallën “1 Tetori” ka filluar gjashtë ditë më parë dhe deri më tani janë vaksinuar 3 mijë persona. Në mesin e të vaksinuarve janë edhe personeli shëndetësor i Policisë së Kosovës, ndërsa të martën pritet të fillojë vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të FSK-së.

Vaksinën për COVID-19 e kanë marrë edhe disa nëpunës civilë e zyrtarë ligjorë të QKUK-së.

Por nga MSH-ja kanë thënë për KOHËN se vaksinimi po shkon sipas Planit shtetëror të vaksinimit, ku kategoria e parë prioritare janë punonjësit shëndetësor, që do të thotë të punësuarit në institucione shëndetësore, mjekë, infermierë, teknik, higjienistë, servues të ushqimit, bocamenë etj.

“Në Planin e vaksinimit janë përcaktuar qartë kategoritë që do të vaksinohen gjatë tri fazave të planit të vaksinimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit të mësimdhënësve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” atje.

Vitia ka thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me homologen e tij Orgeta Manastirliu, e cila i ka premtuar që sapo të vijnë doza të tjera të këtyre dy llojeve të vaksinave, atëherë një sasi e caktuar do t’i ruhet Kosovës për vaksinimin e mësimdhënësve.

“Dozat e vaksinave ‘AstraZeneca’ dhe ‘Pfizer’ janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me ‘Sinovax’, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruara në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë Vitia.

Ministri i Shëndetësisë shtoi se janë duke pritur ardhjen e 75 mijë vaksinave nga programi COVAX, gjithashtu edhe ndihmat nga Komisioni Evropian, si dhe zbuloi se kanë marrë konfirmim edhe nga disa kompani të tjera për sjelljen e vaksinave në Kosovë, por derisa të nënshkruhet kontrata nuk mund të bëhet e ditur. Vitia bëri të ditur se janë ndarë 50 milionë euro nga Qeveria për blerjen e vaksinave.

Edhe Semimaturantët tregojnë arritshmëri për kopjim Arbëri 4 j. më parë Semimaturantët tregojnë arritshmëri për kopjim

Rikthehet kufizimi i lëvizjes, ndalohet puna e gastronomisë

Image

Me vendimin e Qeverisë ndalohet grumbullimi i qytetarëve me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit me më shumë se 10 persona, derisa transporti publik do të punojë me 50 për qind të kapaciteteve. Nga 7 prilli institucionet publike dhe private, sipas vendimit të Qeverisë, obligohen të punojnë vetëm me staf esencial. Ndërsa të gjithë ata qytetarë të cilët hyjnë në Kosovë duhet të kenë një test negativ brenda 72 orësh, në të kundërtën ata duhet të vetizolohen për 7 ditë

Donika Voca Gashi

Mbyllja e gastronomisë dhe qendrave tregtare në 12 ditët e ardhshme, si dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit kanë qenë vetëm disa nga masat e marra nga Qeveria të hënën.

Rritja e trendit të vdekjeve dhe e të infektuarve gjatë muajve të fundit dhe përhapja e shumëfishtë e variantit të ri me Covid-19 ka bërë që Ekzekutivi kosovar të ndërpresë punën e gastronomisë nga 7 prilli deri më 18 prill, derisa atyre u është lejuar vetëm shërbimi “merr me vete”.

Nga 7 prilli institucionet publike dhe private, sipas vendimit të Qeverisë, obligohen të punojnë vetëm me staf esencial.
Po ashtu janë ndaluar rreptësishtë organizimi i ceremonisë së ngushëllimeve, ndërsa në ceremonitë e varrimit do të lejohen vetëm anëtarët e ngushtë të familjes.

Me këtë vendim ndalohet grumbullimi i qytetarëve me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit me më shumë se 10 persona, derisa transporti publik do të punojë me 50 për qind të kapaciteteve.

Ndërsa të gjithë ata qytetarë të cilët hyjnë në Kosovë duhet të kenë një test negativ brenda 72 orësh, në të kundërtën ata duhet të vetizolohen për 7 ditë.

Megjithatë, vendimi i Qeverisë ka lejuar aktivitetet sportive profesionale në hapësira të mbyllura dhe të hapura, dhe zhvillimin e disa veprimtarive kulturore të cilat duhet të punojnë me kapacitete të përgjysmuara dhe deri në orën 21:00.

E numri i lartë i përqindjes së mostrave të konfirmuara me variantin e ri britanik paraqet shqetësim tjetër për situatën epidemiologjike në vend.

Sipas të dhënave të IKSHPK- së, nga 147 mostrat e marra nga qendra të ndryshme të Kosovës, 97.27 për qind e këtyre mostrave kanë rezultuar pozitiv në variantin e ri britanik.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se ky variant përhapet shumëfish më shpejt dhe po sulmon më shumë të rinjtë. Ai e ka pranuar se fushata zgjedhore gjithashtu ndikoi në trendin e rritjes.

“Një pjesë tjetër e qytetarëve më të drejtë kanë fajësuar fushatën elektorale për rritjen e rasteve të infektimit. Edhe kjo është e vërtetë. Çfarëdo tubimi masiv është supershpërndarës. Por duhet kuptuar se jeta dinamike shpeshherë ndikohet edhe nga faktorë të paparashikuar”, ka thënë ai.

Kryeministri Albin Kurti shifrat e të infektuarve dhe të vdekjeve i ka quajtur trendë të frikshëm që, sipas tij, mund të ulen vetëm duke ndërmarrë dhe respektuar masat.

“Siç jemi në dijeni në këta dy muajt e fundit, kemi pasur afër gjysmë milioni testime për COVID-19, në këto dy javët e fundit kemi një trend të frikshëm të rritjes, ku janë disa qindra deri afër një mijë raste të reja në ditë dhe mbi 10 të vdekur mesatarisht”, ka deklaruar Kurti.

Sipas hulumtimeve dhe gjurmimeve të IKSHPK-së del se shpërndarës të mëdhenj të infeksionit janë: gastronomia, institucionet publike, puna në zyra e vende të përbashkëta, qendrat tregtare, shkollat, grumbullimet e personave në rastet e vdekjeve dhe të ahengjeve.

Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë raportuar mbi 11 mijë raste pozitive me Covid-19, ku 150 persona kanë vdekur.

Gastronomët pranojnë mbylljen për 12 ditë, jo më shumë

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka njoftuar se do të respektohet ndalimi i punës për 12 ditë, sipas vendimit të Qeverisë, duke nisur nga 7 prilli. Gjatë kësaj kohë, sipas Kllokoqit, do të bisedohet me Ministrinë e Shëndetësisë për gjetjen e një zgjidhjeje, në të kundërtën pas 11 ditësh gastronomët do të nisin punën sërish. Në rast të tentimit të bllokimit të sërishëm, Kllokoqi tha se ata do të jenë të gatshëm të dalin edhe në rrugë.

Edhe Testi i Arritshmërisë sërish nëpër rrjete sociale Arbëri 4 j. më parë Testi i Arritshmërisë sërish nëpër rrjete sociale

“Kjo ishte një mbledhje emergjente e Shoqatës së Gastronomëve në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës. Edhe një herë politika po e bën fajin, pra faturën, kurse gastronomia po e paguan llogarinë”, tha ai. “Ne nuk e marrim rritjen e rasteve si shkak i gastronomisë, por i fushatave politike, mirëpo ne po bëhemi kurban, për 11 ditë po mbyllemi. Ne nuk e pranojmë këtë mbyllje, por nuk do të protestojmë brenda 11 ditëve, por nëse vendoset që të shtyhet mbyllja, do të ketë mosdëgjueshmëri qytetare”.

Qeveria vendosi në mbledhjen e fundit për një sërë masash mbrojtëse, pas rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19.