Sot ka nisur viti i ri shkollor, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, me vendim të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook se 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, teksa 65% e tyre me të dy dozat e vaksinës.
Nagavci ka thënë se ky vit shkollor mund të jetë sfidues, prandaj ka kërkuar respektimin e masave mbrojtëse dhe vaksinimin. Tutje, ajo i ka uruar suksese mësimdhënësve dhe nxënësve për vitin e ri shkollor 2021/22.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës.
Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe.