Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbyllet Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë

Flamujt e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë është mbyllur zyrtarisht, ka njoftuar Ambasada në Maqedoninë e Veriut.

Ky vendim është marrë me qëllim riorganizimin dhe optimizimin e resurseve diplomatike e konsullore të Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Në bazë të Dekretit Nr.150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit përcjellës Nr.Ref 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftojmë se është mbyllur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim. 

Sipas kumtesës, mbyllja e konsullatës vjen pas vlerësimit të dinamikës së misionit konsullor dhe synon përshtatjen e strukturës diplomatike me qëllimet dhe nevojat e përgjithshme institucionale.

Bëhet e ditur se do të ruhet prania në Strugë përmes zyrës së Konsullit të Nderit, i cili do të vazhdojë të ketë juridiksion konsullor në këtë qytet.

Ndërkohë, shërbimet konsullore për shtetasit e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut do të ofrohen nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.

Ambasada në Shkup, krahas funksionit të saj diplomatik, do të marrë përsipër edhe ofrimin e shërbimeve konsullore për qytetarët kosovarë në vend, duke centralizuar këto shërbime pas mbylljes së misionit në Strugë.