Avokati i Salih Mustafës i ka thënë turpit gjykues në Hagë, në seancën e së martës, se i mbrojturi i tij është i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës, me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka thënë se prokuroria nuk ka arritur të paraqesë prova se Mustafa ka kryer krimet për të cilat akuzohet. Gjithashtu, ka deklaruar se ZPS-ja nuk ka arritur të hetojë asnjë nga bashkëkryesit e pretenduar që përmenden në aktakuzë.
Avokati Julius Von Bone ka deklaruar se është i bindur që Salih Mustafa është i pafajshëm dhe se për këtë do të paraqesë dëshmi para gjykatës.
Në deklaratën e tij hapëse, mbrojtja e Salih Mustafës ka thënë se i mbrojturi e tij asnjëherë nuk ka ndaluar ndonjë person apo maltretuar dikë, siç pretendohet në aktakuzë.
“Salih Mustafa asnjëherë nuk e ka ndaluar asnjë person, Salih Mustafa asnjëherë nuk e ka maltretuar asnjë person, Salih Mustafa asnjëherë nuk ka vrarë asnjë person dhe as që ka urdhëruar dikë tjetër që të bënte një gjë të tillë. Salih Mustafa, me shumë të tjerë, është një patriot dhe ka luftuar për çlirimin e vendit të vet”, ka thënë avokati i Mustafës.
Von Bone ka thënë se Mustafa nuk ka bërë asgjë kundër ndonjërit nga dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Edhe
Mustafa thotë se ZPS-ja s'është as 1% afër realitetit që ka ndodhur gjatë 1999-s
“Ne nuk mendojmë, të nderuar gjykatës, që dëshmitarët që i solli ZPS-ja për të dhënë dëshmi ishin viktima të zotit Salih Mustafa. Pjesa më e madhe e dëshmitarëve asnjëherë nuk e kishin njohur zotin Mustafa dhe asnjëri prej tyre nuk e identifikoi atë siç duhet, dëshmitarët thjeshtë thanë një emër pa e ditur se cili është person, duke përshkruar një person në hollësi që nuk e kishin njohur asnjëherë përpara luftës madje edhe pas luftës. Andaj ne besojmë se ZPS nuk arriti të paraqiste prova të cilat përmbushin kriterin e domosdoshëm për të vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm se zoti Mustafa ka kryer krimet që akuzohen në aktakuzë. Akuzat janë të gabuara dhe zoti Mustafa duhet të shpallet i pafajshëm për krimet që i ngarkohen. Mbrojtja nuk ka nevojë të provojë që zoti Mustafa nuk i ka kryer këto krime, megjithatë ne paraqesim çështjen tonë”, ka thënë avokati.
Mbrojtja e Mustafës ka thënë se nuk mund të sjellin rrëfime minutë për minutë para gjykatës për kohën se ku ka qenë Salih Mustafa dy dekada më parë, meqë sipas tij ka kaluar periudhë e gjatë kohore.
Megjithatë, ai ka thënë se mbrojtja do të sjellë dëshmitarët, të cilët do të tregojnë se ku ka qenë Salih Mustafa dhe cila ka qenë situata atë kohë në Zllash, vend ky në të cilin prokuroria pretendon se janë kryer krimet.
“Shpresoj vërtetë se ZPS-ja do të dëgjojë atë që kanë për të thënë dëshmitarët e mbrojtjes dhe shpresoj që ZPS-ja do ta rishqyrtojë qëndrimin e vet për të dëgjuar me një vesh të hapur pra dhe për të parë me sy të hapur atë që thonë të tjerët lidhur me të akuzuarin, lidhur me situatën në Zllash, me qëllim për të hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj çështje në lëndën që po diskutojmë këtu. ZPS-ja nuk arriti të hetonte asnjë nga bashkë kryesit e pretenduar që përmenden në aktakuzë. Mbrojtja vret mendjen nëse kjo gjë është bërë qëllimisht apo nga frika se mos dëgjohej diçka tjetër që mund ta dëmtonte çështjen e tyre. Mbrojtja beson se këta njerëz mund të ishin gjetur”, ka thënë Von Bone.
Para gjykatës, mbrojtja ka deklaruar se Salih Mustafa është i pafajshëm dhe se i njëjti duhet të lirohet nga të gjitha pikate aktakuzës.
Edhe
Bonne: U bënë shumë gabime gjatë dënimit të Mustafës me 26 vjet burgim
“Ne jemi të bindur fuqimisht që zoti Mustafa nuk është fajtor për akuzat e ngritura kundër tij bazuar në materialin që ne mund të gjenim. Ne nuk kemi nevojë të provojmë pafajësinë e tij sepse një person gjithmonë prezumohet i pafajshëm derisa të provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se ai person në fakt ka kryer krimet për të cilat akuzohet në aktakuzë. Mbrojtja është e bindur dhe është e vendosur në qëllimin e saj se Mustafa është i pafajshëm dhe se duhet liruar nga të gjitha akuzat, duhet të shpallet i pafajshëm”, ka thënë avokati Von Bone.
Avokati ka thënë se Salih Mustafa ishte komandant i njësisë BIA, por që e njëjta nuk kishte ndonjë lidhje me fshatin Zllash.
Ai ka theksuar se anëtarët e BIA-s kanë qëndruar ndonjëherë në shtëpitë e civilëve për shkak të nevojës për të pushuar, relativisht larg zonave urbane ku edhe kryheshin operacione.
Me ketë ka përfunduar deklarata hapëse e mbrojtjes, e cila shënon fillimin e çështjes së saj.
Në seancën gjyqësore që do të mbahet të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.
Edhe
Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit
Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /Kosovapress