Arbëri

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, PDK-ja dhe LDK-ja paralajmërojnë se s’do të shkojnë

Dimal Basha - kryekuvendar

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha ka thirrur për sot mbledhjen e kryesisë së legjislativit të ri, ndonëse ky i fundit nuk është konstituuar plotësisht pasi nuk është zgjedhur edhe një anëtar i kryesisë nga radhët e komunitetit serb.

Në njoftimin zyrtar të Kuvendit, bëhet e ditur se ky takim, ku janë thirrur katër nënkryetarët e zgjedhur të parlamentit, do të mbahet në orën 13:00.

“Takim konsultativ”, thuhet te pika e rendit të ditës së njoftimit të dërguar nga Zyra për media e Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga Basha, pasi ajo është antikushtetuese.

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu, në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga Basha.

“Për shumë seanca të cilat u shpallën jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese kanë qenë të paralajmëruara nga ne. Në këtë frymë ka qenë edhe seanca e fundit, e cila pa u kompletuar kryesia u mbyll seanca konstitutive. Në mbledhjen e cila është thirrur nga kryetari i kuvendit nuk do të marrim pjesë”, ka theksua Lushaku-Sadriu. 

Ajo e ka quajtur “gabim teknik” votimin e Emilija Rexhepit për nënkryetare.

“Ne do të shohim fazat se si do të veprojmë. Bëjmë thirrje që të gjitha partitë politike t'i kthehen veprimet kushtetuese”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Dimal Basha u zgjodh kryetar nga radhët e Vetëvendosjes, por jo edhe kryesia prej pesë anëtarësh. Nënkryetarë u zgjodhën Albulena Haxhiu – Vetëvendosje, Vlora Çitaku - PDK, Kujtim Shala - LDK dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet jo shumicë serbe.

Pasi nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk u zgjodh, Dimal Basha tha të shtunën se janë konsumuar të gjitha opsionet, duke e quajtur të mbyllur seancën konstituive.