Që nga fillimi i vaksinimit në Kosovë, në fund të muajit mars, me dozën e dytë janë vaksinuar 90,165 qytetarë.
Ndërkaq, me dozën e parë, numri i të vaksinuarve është 310,415 qytetarë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë dhënë 12,430 vaksina kundër COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vetëm dy raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Ndërsa nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Kurse tre pacientë janë shëruar. Numri i rasteve aktive është 98.
“Nga 1.944 testime, 2 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Sot janë shëruar 3 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.534. Në total numri i rasteve aktive është 98”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Në Kosovë deri më tani janë përdorur vetëm dy lloje të vaksinave: AstraZeneca dhe Pfizer. Derisa dozat e AstraZenecas kanë ardhur kryesisht ndërmjet programit COVAX dhe si donacione direkte nga shtetet e tjera evropiane, një pjesë e vaksinave Pfizer kanë ardhur si donacion i Bashkimit Evropian ndërkaq një pjesë tjetër janë blerë nga Qeveria e Kosovës.