Arbëri

Mbahet koncert për nder të 50 vjetorit të UP-së

Foto: KosovaPress

Studentët e Departamentit të Muzikës dhe Fakultetit të Arteve, sonte kanë mbajtur një koncert festiv për nder të 50-vjetorit të themelimit të Universitetit “Hasan Prishtina” dhe “Javës së Universitetit”.

Përformimi në këtë koncert është bërë nga studentët e këtyre dy fakulteteve, me fillimin e javës së 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema tha se për të është një ditë shumë e veçantë dhe se festa do të vazhdojë gjatë gjithë javës, deri në përmbyllje me manifestim qendror.

“Është një ditë shumë e veçantë, gjerësisht ky manifestim ka filluar me ‘Javën e Universitetit’. Nga studentët është organizuar një koncert me vepra artistike të përgatitura nga departamenti i muzikës dhe Fakulteti i Arteve, ku vërtet besoj se do të kënaqemi. Kjo festë do të vazhdojë për një javë me plot aktivitete të tjera, që në fund më 15 shkurt 2020 do të jetë manifestimi qendror”, tha Dema.

Gjatë kësaj jave do të mbahen aktivitete të shumta siç janë promovimi i pullave postare me simbolin e 50-vjetorit, organizimi i konferencave të rektoreve dhe aktivitete të tjera.

Dema tha se Universiteti i Prishtinës ka qenë vatra e shtetndërtimit dhe meritat për këto aktivitete i kanë studentët.

Ndër të tjerat ai tha se studentët kanë marrë gjithmonë iniciativa, iniciativa për çlirimin, iniciativat për rezistencë, iniciativa për pajtim gjaqesh dhe shumë iniciativa të tjera.

Melisa Ibrahimi, studente në Universitetin e Prishtinës nga Departamenti i Arteve, tha se për realizimin e këtij koncerti kanë bërë përgatitje më parë, së pari me përzgjedhjen e studentëve përmes një audicioni, por se për te është ndjenjë e mire, por edhe përgjegjësi mjaft e madhe.

“Ky është një koncert që e kemi mbajt për nder të 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës, kemi pas një audicion rreth këtij koncerti, që kemi marrë pjesë studentët nga fakultet, pastaj jemi zgjedh 12 studentë të performojmë në këtë koncert. Është një ndjenjë shumë e mirë me performu në këtë koncert në nder të 50-vjetorit, po gjithashtu është edhe një përgjegjësi mjaft e madhe”, tha Ibrahimi

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit, të cilin e miratoi Kuvendi i ish-Krahinës së Kosovës më 18 nëntor 1969.

Kuvendi themelues i Universitetit “Hasan Prishtina” u mbajt më 13 shkurt 1970.

Ndërsa, më 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës./ksp/