Arbëri

Maturantët “ngelin” në matematikë e fizikë, ekspertët kërkojnë reformim të procesit

Matematika si lëndë obliguese dhe fizika si zgjedhore, kanë rezultuar sfiduese për maturantët në Testin e mbajtur më 21 qershor. Mesatarisht, nxënësit dhanë përgjigje të sakta në rreth 35 për qind të problemeve e pyetjeve në këto dy lëndë shkencore. E, ekspertët thonë se edhe ky rezultat mund të mos jetë i saktë, duke ngritur dyshime për kopjim si dhe për mosadministrim të duhur të procesit

Mesatarisht, vetëm 35.45 për qind të problemeve në matematikë kanë ditur t’u japin zgjidhje 18.130 maturantët, që më 21 qershor iu nënshtruan Testit të Maturës.

Pas saj, si lënda ku është performuar më së dobëti, është gjuha angleze, ku nxënësit dhanë në 51.14 për qind të pyetjeve përgjigje të sakta, teksa në pyetjet e gjuhës shqipe të saktë ishin 53.84 për qind.

Rinor Qehaja, njohës i arsimit, tha se këto rezultate nuk e reflektojnë domosdoshmërisht dijen reale të nxënësve. Ai e përmend mungesën e duhur të administrimit të testit dhe rastet e shumta të kopjimit.

“Ajo është për shkak që shumë maturantë kanë kopjuar në test dhe për shkak të administrimit jo të mirë të testimit, ky rezultat në vete nuk e di sa në të vërtetë është reprezentativ i dijes së vërtetë dhe performancës së vërtetë të maturantëve në test të maturës. Pra, ne duhet pikësëpari të garantojmë që testi të administrohet në mënyrë të barabartë dhe me plotë meritokraci për të gjithë maturantët dhe atëherë kur sigurohemi që krejt kanë performancë në testim të barabartë edhe mundemi t’i komentojmë rezultatet, pse në një lëndë më mirë e jo në tjetrën”, ka thënë Qehaja. 

Ai u shpreh se edhe kalueshmëria prej 68.6 për qind është e ngjashme me vitet e kaluara çka, sipas tij, tregon për mungesë reformash në këtë proces.

“Kalueshmëria në përgjithësi është në trendin e njëjtë sikurse edhe në vitet paraprake e që na dëshmon përgjithësisht për një test të administruar ngjashëm, me format të ngjashëm, por edhe me performancë të ngjashme të nxënësve. Kjo në vete thërret për atë domosdoshmërinë e madhe për riformatim në tërësi të këtij testimi, jo vetëm për të arritur kalueshmëri të lartë ose të vogël, por të na e garantojë një vlerësim shumë meritokratik të maturantëve e që na shërben pastaj tutje si një filtrim i duhur për shkollimin e duhur universitar”, ka theksuar ai.

Në test, maturantët patën para vetes pyetje nga katër lëndë: shqip, matematikë, gjuhë angleze dhe një zgjedhore.

Tek ato zgjedhore nxënësit më së shumti shfaqën dije për lëndën e biologjisë, ku saktësia e përgjigjeve të sakta ishte 59.48 për qind. E më së dobëti u treguan në fizikë, me vetëm 35.68 për qind të pyetjeve të sakta.

Në total, nga 18.130 nxënës sa iu nënshtruan testit, 12.316 e kaluan atë apo 68.6 për qind, më dobët sesa vitin e kaluar kur kalueshmëria ishte 73.3%.

Maturantët që nuk e kaluan provimin në qershor, do të kenë mundësinë të ritestohen më 28 gusht.