Arbëri

Martens: Osmani nuk e dallon përfaqësimin shtetëror nga prostitucioni intelektual

Martens - Vjosa OSmani

Michael Martens, gazetari gjerman i prestigjiozes “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani për devijim nga përfaqësimi i interesave të shtetit, duke e marrë për bazë premierën e dokumentarit “Melania” nën organizimin e Presidencës së Kosovës në Prishtinë.

“A ia ka bërë ndonjëherë ndokush me dije presidentes në largim të Kosovës se ekziston një ndarje midis përfaqësimit të interesave legjitime të një shteti dhe prostitucionit intelektual vetëdegradues? Zonja Osmani nuk duket të jetë e vetëdijshme për këtë ndarje”, ka shkruar Martens të shtunën në “X”.

Një natë më parë, dokumentari për zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump u dha premierë edhe në Kosovë. Për këtë presidentja Vjosa Osmani shkroi në rrjete sociale duke e cilësuar si ngjarje të suksesshme e madje edhe si “kremtim të aleancës së fortë, të qëndrueshme e me vizion, Kosovë-SHBA”.

Osmani është në fund të mandatit si presidente. Ajo së fundmi ka rritur aktivitetin në rrjete sociale duke promovuar atë që e ka bërë për pesë vjet. Tashmë e ka bërë publik synimin për ta marrë edhe një mandat. E fushatën e saj njohësit e zhvillimeve politike e kanë quajtur presion mbi partitë.

Osmani dhe Presidenca ende nuk kanë reaguar ndaj deklaratës së Martensit apo edhe kritikave për fushatë.