Arbëri

“Marshojmë S’festojmë”, kundër deputetëve që po kundërshtojnë Projektligjin për shëndet riprodhues

Kolektivi “Marshojmë S’festojmë” të enjten ka organizuar një aksion protestues lidhur me reagimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kundër Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

“Deputetët s’kanë mandat me i cenu trupat tanë”, “Kush na mbron prej deputetëve?”, “Eman mos rrej”, “Duda, ku i ki kufijtë?”, “Kushtetuta, ku?”, “Shkarkojeni Duda Baljen?”, janë disa nga pankartat që kanë mbajtur aktivistet.

Blenda Asllani, nga kolektivi “Marshojmë S’festojmë”, ka thënë se deklaratat e disa deputetëve në Kuvedn sa i përket këtij Projektligji janë seksiste.

“Me sloganin ‘deputetët nuk kanë mandat me i cënu trupat tanë’ e kemi mbyllur derën e Kuvendit sepse deklaratat e ditëve të fundit brenda dhe jashtë Kuvendit janë seksiste, denigruese, dehumanizuese për gratë dhe nxitin urrejtjen ndaj grave”, është shprehur Asllani.

Ajo ka thënë se kërkesa e tyre është e qartë. “Ne kërkojmë që të votohet Projektligji për shëndetin prodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, të jetë i qasshëm në institucione publike për gratë beqare dhe për çiftet, kërkojmë që të shkarkohet Duda Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të drejtat e njeriut, si dhe në përputhje me nenin 65 të rregullores së Kuvendit të Kosovës të sanksionohen të gjithë deputetët që në hapësira publike deklarohen me gjuhë të urrejtjes ndaj komuniteteve të caktuara”, ka theksuar Asllani.

Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, ka nxitur debat në vend që kur u prezantua për herë të parë para deputetëve. Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.

Ai është miratuar në parim në tetor të vitit të kaluar, në tentimin e katër, ndërkohë që javën e kaluar ka dështuar të miratohet në lexim të dytë.

{gallery}