Leonida Molliqaj nga Kolektivi “Marshojmë, S’festojmë” ka thënë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duhet t’i sanksionojë deputetët, të cilët kanë përdorur gjuhë të papranueshme lidhur me Projektligjin për shëndetin riprodhues.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Molliqaj ka thënë se Neni 65 i Rregullores së Kuvendit lejon që të dënohet gjuha që prek gjininë, orientimin seksual, racën apo fenë.
“Sot në mënyrë simbolike, aktivistet feministe të Kosovës i mbyllën dyert e Kuvendit të Kosovës me mesazhin që deputetët nuk kanë mandat t’i cenojnë trupat dhe autonominë e trupave tanë. Për ne është i papranueshëm diskursi publik që është ngjallur për shkak të këtij projektligji, andaj edhe sot u grumbulluam të tregojmë se gjuha përveçse është gabim edhe nuk kalon. Ne do të organizohemi edhe në takime e protesta të radhës për ta bërë punën që nuk po e bën Kryetari i Kuvendit dhe mekanizmat tjerë për t’i sanksionuar dhe dënuar ata deputetë. Në pajtim me Nenin 65 të Rregullores së Kuvendit do të mund të sanksionohej gjuha që prek gjininë, orientimin seksual, apo në bazë të racës apo fesë së dikujt tjetër”, ka thënë ai.
Sipas Molliqajt, disa deputetë po përdorin gjuhë propaganduese, duke thënë gjëra që sipas saj, janë të pavërteta.
“Grupet konservatore të deputetëve që po i zaptojnë karriget nëpër emisione televizive çdo natë, po flasin me gjuhë propaganduese kundër ligjit duke thënë se ky ligj sigurisht që do të përfundojë me incest. Apo Eman Rrahmani ka thënë se do të ketë martesa mes motrave dhe vëllezërve apo vajzave dhe baballarëve. Gjë që nuk është e vërtetë, sepse edhe në projektligjin e propozuar është një nen që tregon se dhuruesit që ofrojnë spermatozoid për ta bërë fertilizimin e asistuar mjekësor do të analizohen nga aspekti mjekësor nëse kanë lidhje gjenetike me gruan të cilës do t’i dhurohen”, ka thënë ajo.
Aktivistja ka shprehur shqetësimin edhe për mosreagim nga ana e Qeverisë.
“Nuk ka asnjë fushatë sensibilizuese brenda Qeverisë kundër kësaj gjuhe. Duhet përveç insistimit për ta shtyrë ligjin, të kontribuojnë edhe në diskursin publik për t’i bindur edhe qytetarët që kjo është e drejtë”, ka thënë ajo.
Edhe
Dënohet gjuha e disa deputetëve gjatë diskutimit për Projektligjin për shëndet riprodhues
Molliqaj më tej ka konsideruar se drejtuesja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, duhet të shkarkohet nga kjo pozitë për shkelje kushtetuese.
“Konsiderojmë që njoftimi publik që është bërë për këtë takim publik është i tmerrshëm dhe i papranueshëm, pasi që Duda Balje e mban një pozitë tepër të rëndësishme, drejtuese e Komisionit për të drejtat e njeriut, ndërkohë shkon për të diskutuar nëpër takime joformale me bashkësitë fetare në Kosovë, të cilët në njoftimin publik thonë se janë shumë të shqetësuar për dy projektligje, atë të martesave mes gjinisë të njëjtë dhe këtë për të drejtat e grave për të bërë fëmijë edhe kur janë beqare. Ka pasur arsye deri tani të shkarkohet Balje, nuk e di pse ka mungesë të reagimit të kryetarit të Kuvendit. I bëjmë thirrje Qeverisë që në secilën formë të mundshme ta ndalojë gjuhën e tillë që do të mundësonte një pozicionim tjetër të deputetëve brenda”, ka thënë ajo.
Në fund të shkurtit, edhe njëherë Kuvendi nuk arriti ta miratojë projektligjin për fertilizimin e asistuar mjekësor. Me këtë projektligj synohet të rregullohen organizimi dhe përgjegjësia institucionale për dhënien e kujdesit shëndetësor të sigurt dhe cilësor në fushën e shëndetit riprodhues. Sipas tij, parashihet që të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së ta kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.
-
“Marshojmë S’festojmë”, kundër deputetëve që po kundërshtojnë Projektligjin për shëndet riprodhues
-
Dështon sërish projektligji për IFV-në, deputetët e pushtetit të ndarë
-
Kuvendit i kërkohet ta shkarkojë Baljen dhe Demë-Murtezin nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut
-
“Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”, ndërpritet mbledhja e Komisionit për të drejta të njeriut