Tiranë, 2 shkurt - “Marrëveshja e re për detin me Greqinë do të jetë për Shqipërinë shumë më e mirë se ajo antikushtetuese e vitit 2009 dhe do të jetë e bazuar katërcipërisht në kornizën e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”.
Kështu deklaroi të enjten në mbrëmje në ERTV, transmeton ATSH, kryeministri Edi Rama, për negociatat me Greqinë, duke u ndalur te marrëveshja për kufirin detar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoI pyetur mbi mungesën e transparencës lidhur me negociatat për çështjen e kufirit detar, kryeministri Rama theksoi se “ne nuk kemi arsye të shpjegojmë asgjë, për sa kohë jemi në një tryezë negocimi dhe derisa të shkruhet e zeza në të bardhë ajo që ne po negociojmë”.
“Jemi në një proces ku po finalizojmë një përpjekje mbi 3 vjet e gjysëm, me një konflikt të krijuar në funksion të vendosjes së barazisë në marrëdhënie me fqinjin. Ne jemi në diskutime. Ajo që po ju them është që ne kemi një vijë të kuqe që e kemi vendosur që në fillim. Sot vija e kuqe është në tavolinë dhe marrëveshja e re do të jetë më e mirë dhe e bazuar në parimin e barazalargësisë që garantohet nga konventa me 12 miljet, por e axhustuar”, tha Rama.
Kryeministri Rama siguroi se “skuadra shqiptare në këtë negociatë ka nga mbrapa një ekspertizë të nivelit më të lartë ndërkombëtar për këto tema, ashtu si edhe për varrezat”. “Skuadra shqiptare është e superpërgatitur. Këtu çështja është që në 2009 u gjet një ekip injorantësh shqiptarë dhe një lidership dallkaukësh shqiptar. Marrëveshja e 2009 është tradhti, atë tradhti do ta mbajnë ata që e bënë në histori. Në 2009 qeveria shqiptare fali territor për të marrë mbështetje politike. Ne e vumë në rrezik mbështetjen e Greqisë për çeljen e negociatave, sepse këto çështje i hapëm ne. Greqia ka refuzuar për një kohë të gjatë të ketë në tavolinë këtë çështje, ligjin e luftës dhe çështjen çame”, shtoi Rama.
Lepuri i frikës fle te reforma në drejtësi dhe vettingu
“I siguroj të gjithë se çfarë po ndodh është hynmni më solemn i marrëzisë pseudo-politike, marrëzi e bazuar te fakti që jo vetëm ka injorancë të madhe, por ka edhe një nevojë të madhe për t’u kapur pas një fjale që është korrekte, ajo e ministrit të Jashtëm grek, dhe për të ngritur një furtunë, në kushtet kur lepuri i frikës fle te reforma në drejtësi dhe vettingu”, deklaroi Kryeministri Rama, duke folur për gjithë debatin e nxehtë të krijuar së fundi në skenën politike shqiptare lidhur me këtë çështje.
Duke komentuar deklaratat në median greke të ministrit të Jashtëm grek, Kotsias, Kryeministri Rama u shpreh se “ai thjesht dhe vetëm ka konfirmuar çka është e shkruar në nenin 3 të Konventës Ndërkombëtare të Detit, parimi i 12 miljeve”. “12 milje janë sot dhe Shqipëria i ka regjistruar në OKB në 1990”, tha Rama.
Për të sqaruar opinionin publik lidhur me këtë çështje, Rama solli në vëmendje se “këtë çështje nuk e hapi Greqia, por rinegocimin e marrëveshjes së detit e kërkoi Shqipëria. Greqia, tha Rama, ishte e lumtur me marrëveshjen e 2009-s që është antikushtetuese dhe e përkthyer me fjalën e duhur të fjalorit, është tradhti.
Sipas kryeministrit, “Greqia, për 3 vite me radhë i iku kërkesës që të ulemi në tryezë, jo për të korigjuar marrëveshjen e 2009-s, por për një marrëveshje të re”.
“Çështja çame”, çështje e të drejtave të njeriut, nuk kemi asnjë pretendim territorial
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “ishim ne që sollëm në tryezën e negociatave çështjen çame”. E futëm këtë çështje në 2013 në programin qeverisës si e para qeveri e Shqipërisë dhe sot e diskutojmë në tryezë. Greqia thotë nuk njoh çështjen çame dhe ka një arsye, sepse për të do të thotë pretendim territorial në tokën e Greqisë. A kemi ne pretendime territoriale? Në asnjë mënyrë jo. Për ne çështja çame e ka një emër të tillë, por përfaqëson problemet e një komuniteti shqiptarësh që lidhen me të drejtën përkujtimore, të pronës dhe lëvizjes. Ne nuk na intereson nëse Greqia thotë nuk njoh çështjen çame. Ne duam marrëveshje të të drejtave të njeriut për këtë komunitet që ka këto probleme”, tha Rama.
Ministri i Jashtëm grek, Kotsias, sipas Ramës “është i saktë kur thotë ne nuk njohim çështjen çame dhe se shqiptarët e kërkojnë me agresivitet vendosjen në tryezë të çështjes”.
Negociatat me Greqinë do të jetë një nga faqet më spektakolare të diplomacisë shqiptare
Po ashtu kryeministri kujtoi se “ligjin e luftës ishte Shqipëria që e vuri në tryezë”. “Ne e kemi dëgjuar për 3 vite me radhë nuk ka ligj lufte. Nënshkruesi famëkeq i një marrëveshje që është njollë që nuk shlyhet me deklarata delirante (Sali Berisha) në fjalimin që ka mbajtur ka thënë: Me mikun tim Karamanlis jemi të një mendje që mes dy vendeve tona nuk ka çështje të hapura”, theksoi Rama duke sjellë në vëmendje deklaratën e ish-kryeministrit Berisha.
Por sipas Ramës, në fakt kishte 3 çështje të hapura që ishin ligji i luftës, çështja çame dhe pastaj u krijua dhe deti.
“Ne vumë midis nesh dhe fqinjit 3 çështje të cilat për të tjerë përpara nuk ekzistonin. Zero probleme me fqinjët ishte objektivi ynë strategjik. Kjo nuk do të thotë hesht që të mos duket që ka problem, por të përpiqesh që t’i zgjidhësh dhe zerosh problemet. Ne këtë do të bëjmë. Do ta zerojmë këtë dhe do të jetë një nga faqet më spektakolare të diplomacisë shqiptare”, deklaroi Rama.
Duke mos pranuar të komentoj deklaratat e palës greke, Kryeministri Rama u shpreh se “pala tjetër është në anën tjetër të tavolinës dhe ne jemi në fushë dhe bëjmë lëvizjet tona”. Qëllimi, tha Kryeministri, është të marrim një marrëveshje historike.
“Greqia akoma sot nuk ka ratifikuar Protokollin e Firences për delimitimin e territoreve. Qeveria greke do ta ratifikoj. Do të jetë një marrëveshje historike”, tha Rama.
Për Himarën qeveria greke dezinformohej; asnjë tendencë për të goditur minoritetin grek
Sipas Kryeministrit, “acarimi publik me Greqinë nga ana greke, nuk ka ardhur për këto, por për çështjen e minoritetit dhe Himarës”. “Unë ju shpjegoj se si ne mbyllëm gojët e atyre që nga Tirana me Vangjelis Dule në krye dhe deri në qarqet ekstremiste e të verbra në Athinë, ushqenin me një dezinformim qeverinë greke se, çfarë ndodh në Himarë”, tha Rama.
Ndërkohë, që sipas Kryeministrit, “në Himarë ne po bëjmë atë që po bëjmë në gjithë Shqipërinë, programin e Rilindjes Urbane”. “Aktiviteti ynë e qetësoi fqinjin, sepse realisht nuk ka në Shqipëri një tendencë për të goditur minoritetin grek, përkundrazi kemi kaluar një ligj model për minoritetet”, tha Rama.
Autorizimi nga Presidenti, në momentin kur ekspertët ulen për të finalizuar teknikisht
Kryeministri Edi Rama i dha përgjigje edhe debatit të ditëve të fundit se grupi negociator nuk kishte marrë autorizimin nga Presidenti për negociatat me Greqinë.
“Plotfuqishmëria merret në momentin kur ekspertët ulen për të finalizuar teknikisht një proces që është materializuar politikisht”, shpjegoi kryeministri Rama.
Ekstradimi i Nezar Seitajt, Rama: Person i kërkuar zyrtarisht nga drejtësia italiane
Kryeministri Rama sqaroi edhe çështjen e ekstradimit të Nezar Seitajt drejt Italisë. Rama tha se Seitaj u ekstradua në duart e Prokurorisë italiane. “Seitaj ka qenë një person i kërkuar zyrtarisht nga drejtësia italiane dhe ne e çuam pikërisht në duart e atyre që opozita i quan antimafia”, u shpreh Kryeministri.
Nëse nuk do ta ekstradonim, sqaroi ai, po kjo opozitë do të na akuzonte se po kërkojmë t’i mbyllim gojën. “Ata duan motive”, tha Rama, duke iu referuar qëndrimit të opozitës.
Pikë doganore e përbashkët me Greqinë
Shqipëria dhe Greqia do të kenë një pikë të përbashkët doganore çka do të lehtësonte lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Kryeministri Edi Rama tha se gjatë negociatave që po zhvillohen me Greqinë është diskutuar edhe për problemet e shfaqura herë pas here në pikën doganore.
“Kemi hapur rrugën për doganat. Do të kemi një pikë doganore me grup të përbashkët, që do të thotë se do të jenë polic grek dhe shqiptarë në një pikë”, u shpreh Rama.
Po ashtu, kreu i qeverisë theksoi se në tavolinën e negociatave janë edhe problemet e emigrantëve tanë në Greqi.
“4 milionë euro dalin nga xhepat e emigrantëve shqiptarë për dokumenta, sepse Greqia ka refuzuar të pranojë vulën apostile”, vuri në dukje Rama. Po ashtu, Rama tha se po diskutohet edhe për marrëveshjen e njohjes së patentave.
Rama: Mbështetja e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE e natyrshme dhe aktive
Debatit nëse Greqia do të bllokojë çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, i dha fund Kryeministri Rama siguruar se vendi ynë do të ketë mbështetjen e Greqisë.
“Mbështetjen e Greqisë për hapjen e negociatave e vuri në rrezik insistimi ynë për hapjen e tre çështjeve. Nisur nga kjo por edhe nga manipulimi i diskretituar e i demaskuar i Vangjel Dules, e të tjerëve, Greqia u acarua duke kërcënuar se mbase do të bllokonin atje. Por ishin reflekse”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Sipas tij, mbështetja e Greqisë do të jetë e natyrshme, por edhe aktive sepse do të vendosim një dokument të partneritet strategjik.
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni, agjendë që do të shkojë përpara
Lidhur me çështjen e ligjit të gjuhës shqipe në Maqedoni, Kryeministri Rama theksoi se “pa Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe qeverinë e saj nuk do të kishte sot një situatë tërësisht të paimagjinueshme deri pak vite më parë, ku gjuha shqipe shkon drejt një zyrtarizimi në një nivel krejt tjetër”.
“Është fakt, ne nuk jemi përfshirë në kuptimin e mbajtjes së një ane në konfliktin politik mes partive maqedonase, por jemi përfshirë në funksion të unifikimit të faktorit shqiptar dhe avancimit të axhendës së shqiptarëve në Maqedoni, që njihet botërisht si marrëveshja e Ohrit”, tha Rama.
“Na thuhej nga homologët maqedonas të qeverisë së mëparshme çfarë pune keni ju me çështjen e Ohrit. Në mbledhjen e përbashkët, zv/kryeministri shqiptar i qeverisë maqedonase raporton live avancimin e axhendës shqiptare brenda suazës së shtetit maqedonas, pikë e palëvizshme referimi si një faktor stabiliteti. Ne duam një Maqedoni të fort, demokratike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ka qenë, jam dhe do të jetë patriot dhe nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë nacionalist. “Patrioti është ai që të mirën e vendit të vetë nuk e kërkon si të keqe për tjetrin. Nacionalisti është ai që duke u bërë keq tjetrit do të nxjerri përfitime në emër të vendit të vetë, por duke e çuar vendin e tij në skëterrë”, tha Rama.
Rama u shpreh se nuk ndjehet i befasuar nga reagimi i Presidentit të Maqedonisë dhe i opozitës maqedonase, por sipas tij “është antihistorike që sot t’i shkosh kundër gjuhës shqipe në Maqedoni”. “Është axhendë që do të shkoj përpara “, tha Rama.
Kosova të kaloj demarkacionin një orë e më parë
Lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Rama tha se “Kosova ka arritur të krijojë një problem nga hiçi dhe ka arritur me një shpejtësi marramendëse të vërë në pikëpyetje marrëdhëniet me të gjithë ata që e lindën shtetin demokratik të Kosovës”.
“Kosova është nëna e të gjithë shqiptarëve që kanë lindur atje, por është fëmija i atyre që mbështetën Kosovën shtet. Kosova ka arritur të vendos pikëpyetje në marrëdhënie me të gjithë këta, për demarkacionin me Malin e Zi. Për Kosovën është strategjikisht fatale që ndërkohë që duhet të përqendrohet te zgjidhja e çështjeve me Serbinë dhe të mbaj fort të gjithë miqtë ndërkombëtar, të hapi një problem”, tha Rama.
Ai bëri thirrje që Kosova të kalojë demarkacionin një orë e më parë.