Arbëri

Manaj: Po të kishte sistem normal drejtësie, Hekuran Murati do të ishte në burg

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj, ka thënë se po të kishte sistem normal të drejtësisë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, do duhej të ishte në burg për shkak të ndalimit të të hyrave vetanake të komunës.

Manaj ka thënë se për herë të parë në historinë e Kosovës, një qeveri qendrore ia ndalon një komune mjetet që ajo i ka mbledhur vetë, duke përmendur 25 milionë euro të tubuara gjatë këtij viti e që sipas tij duhet t’u kthehen qytetarëve përmes shërbimeve komunale.

“25 milionë euro që janë mbledhur gjatë këtij viti dhe që duhet të shkojnë te qytetarët, janë ndalur në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Po të kishim sistem normal të drejtësisë, ministri i Financave sot duhej të ishte në burg për shkak të kësaj ndalese të buxhetit, sepse ka rrezikuar shërbimet esenciale – shëndetësinë, mirëqenien sociale, shujtat për fëmijë, energjinë në shkolla, transportin dhe shumë shërbime të tjera”, deklaroi Manaj në emisionin “038” të KTV-së.

Ai paralajmëroi se ndalimi i mjeteve rrezikon funksionimin normal të komunës dhe se qytetarët janë drejtpërdrejt të prekur nga ky vendim.

Më 19 nëntor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ishte drejtuar me kërkesë urgjente kryeministrit në detyrë Albin Kurti për alokimin e plotë të të hyrave vetanake dhe zbatimin e vlerave të miratuara për ndarjen buxhetore të vitit 2025.

Rama ka pasur vazhdimisht përplasje me ministrin në detyrë Murati. E akuzon se nuk po ia miraton buxhetin për këtë vit. Ndërsa Murati u shpreh se LDK-ja pati mundësi ta votonte buxhetin e Prishtinës në seancën e orës 11:00 që u mbajt ë mërkurën.