Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mali i Zi aprovon Ligjin për simbolet, shqiptarët do të përdorin lirshëm flamurin

Foto: Reuters / ilustrim

Pas sulmeve të shumta që shqiptarët kanë pasur ndaj flamurit shqiptar, ku rasti i fundit ishte gjobitja e një qytetari në Krajë për shkak të valëvitjes së flamurit kuqezi, Qeveria e Malit të Zi ka aprovuar të enjten Ligjin për simbolet kombëtare të përgatitur nga Ministria e Pakicave të kryesuar nga përfaqësuesi i Shqiptarëve të Vendosur, Mehmet Zenka.

Me këtë rast Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj tha se Qeveria e Malit të Zi aprovoi Ligjin të cilin e përcolli në Parlament, që të jetë si pikë e rëndit të ditës në seancën e parë të Kuvendit, Ligjin të cilin e ka përgatitur Ministria e Pakicave e udhëhequr nga përfaqësuesi i Shqiptarëve të Vendosur, Meto Zenka.

“Ky ligj parasheh që simboli kombëtar, simboli ynë nacional, të përdoret i lirshëm kudo që jetojnë shqiptarët, gjegjësisht atje ku shqiptarët janë 5% dhe, për më shumë, të jetë obligativ që të përdoret dhe në qoftë se nuk përdoret atëherë ato institucione që nuk e përdorin, ato do të gjobiten”, tha Gjeloshaj, raporton “tvboin”.

Ndër të tjera, Gjeloshaj ka theksuar se ky është një ligj i konceptuar mirë dhe është në favor të përdorimit të lirë të simbolit kombëtar. Njëkohësisht, Gjeloshaj ka thënë se Qeveria ka aprovuar mendimin dhe vlerësimin e vet që Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë ta procedojë në Parlament, në seancën e parë të radhës, Ligjin me të cilin tha se do të ndryshojë edhe normën ligjore me të cilën janë shënuar edhe disa raste, në të cila shqiptarët janë gjobitur për mbajtjen e këtij flamuri.

“Ishte nevojë, ishte kërkesë, dhe më në fund të gjithë neve shqiptarëve, këtyre që janë nëpër subjekte politike, që merren me aktivitete politike, na kanë sjellë në një situatë, jo të favorshme, por besojmë më në fund se në seancën e parë të Kuvendit kjo do të përfundohet dhe të jetë shqiponja e lirë ashtu siç është dhe ka qenë”, tha Gjeloshaj.

Kreu i Komunës së Tuzit theksoi në fund se rëndësia kryesore e kësaj për të është se, pavarësisht se ka pasur gjobitje, shqiptarët e kanë përdorur flamurin shqiptar përkundër kërcënimeve të organeve shtetërore, dhe kjo, sipas tij, është ajo më pozitivja “se shqiptarët sa i përket flamurit shqiptar, pa marrë parasysh se si mund dikush t’i vlerësojë, ata duhet ta mbajnë dhe do të jetë ai simboli me të cilën krenohen”.