Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Magjistralja Prishtinë-Shtime në gjendje të rëndë

Segmenti QMI – Lipjan i rrugës nacionale N25 në drejtim të Shtimes është dëmtuar fillimisht nga punimet që janë bërë në të, e tash e disa kohë në rrugë janë bërë shumë gropa që po i pengojnë shoferët. Qytetarët ankohen për prishje të veturave nga gjendja e kësaj rruge. Pushteti lokal në Lipjan e akuzon atë qendror, ndërsa Ministria thotë se rruga do të rregullohet brenda këtij viti

Pas ndërhyrjeve të kryera para disa muajsh në segmentin e rrugës QMI – Lipjan, që i përket magjistrales Prishtinë – Shtime, gjendja e saj ka degraduar, duke u krijuar shumë gropa, të cilat vështirësojnë mbarëvajtjen e trafikut.

Në kompaninë e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës thonë se punimet fillestare në rrugën nacionale N25 janë kryer. Por aty, pos që është hequr një shtresë e asfaltit nuk është bërë më asgjë.

Asamblisti i LDK-së në Lipjan, Armend Grajqevci, ka akuzuar pushtetin qendror se e kanë lënë pasdore këtë rrugë.

“Kjo rrugë është qe 9 muaj ose një vit në këtë gjendje, është nën menaxhimin e Ministrisë së Infrastrukturës. Ne si kuvendarë e kemi ngritur në Kuvend si çështje, mandej drejtori për infrastrukturë i është drejtuar me shkresë Ministrisë, mirëpo nuk ka marrë kurrfarë përgjigjeje. Unë u drejtohem organeve kompetente që të merren sa më shpejt me këtë rrugë, sepse është shumë e frekuentuar dhe paraqet rrezik për qytetarët”, ka thënë Grajqevci.

E qytetarët ankohen se gjendja e rrugës është shumë e rëndë dhe se po u shkakton shumë vështirësi.

“Ma merr mendja qe 4 apo 5 muaj rruga është në këtë gjendje. Nuk e di pse nuk po rregullohet. Me sa di unë është rrugë që i përket ministrisë”, ka thënë qytetari Jeton Gashi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se me buxhetin e vitit 2023 është paraparë rehabilitimi edhe i kësaj rruge.

“Ne kemi në plan që ta bëjmë zgjerimin e rrugës QMI-Lipjan, jemi në fazën e hartimit të projektit, nga përfundimi, sepse aty do të zgjerohet edhe ura e cila kalon mbi autostradë, kjo na ka vonuar pak. Përndryshe, ne e kemi ndarë buxhetin për zgjerimin e kësaj rruge”, ka thënë Durmishi.

Në Ligjin për buxhet të vitit 2023 për këtë projekt janë paraparë 500.000 euro.
Gjendja e rendë pos kësaj rruge magjistrale është edhe në atë Prishtinë-Podujevë e Prishtinë-Gjilan, për të cilat, po ashtu, Durmishi ka premtuar se do të intervenohet.

Artikuj të ngjashëm