Arbëri

LVV-ja: Rama e LDK-ja i kanë kthyer ndërmarrjet publike kundër nesh në prag të zgjedhjeve

Gezim Sveçla dhe Egzon Azemi

Foto: KSP

Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prishtinë, ka mbajtur një konferencë për media. Ata kanë akuzuar kryetarin Përparim Rama dhe LDK-në se kanë vënë kundër LVV-së ndërmarrjet publike në Prishtinë duke iu referuar asaj të Trafikut Urban i cili ka ndaluar punën nga e hëna.

Sipas Gëzim Sveçlës nga kjo parti, kjo po bëhet edhe për shkak të zgjedhjeve nacionale në Kosovë.

“Komuna e Prishtinës po përballet me një keqpërdorim të paprecedent të institucioneve të ndërmarrjeve të saj publike. Përparim Rama i ka vënë ndërmarrjet komunale në funksion të propagandës të LDK-së, përpjekje për të ndërtuar një narracion të rremë kundër qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo është e qëllimshme dhe në koordinim me LDK-në që të ngritët si kauzë për zgjedhjet nacionale të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

Tutje ai ka thënë se është proceduar një pagesë prej 680 mijë eurosh për Trafikun Urban, por të njëjtit sipas informacioneve sërish po hezitojnë të fillojnë punën.

“Pas takimit të ministrit Murati me sindikatën e punëtorëve të Trafikut Urban dhe pasi Murati iu shpjegoi që qeveria i ka alokuar 3.2 milionë euro Komunës së Prishtinës të premten, ndërkohë që komuna se ka bërë asnjë pagesë atëherë u kuptua si qëndron çështja. Komuna e Prishtinë ka bërë një pagesë tashmë prej 680 mijë euro për Trafikun Urban por nga informacionet e fundit që kemi, ata sërish po hezitojnë të fillojnë punën”, deklaroi Sveçla.

Një pjesë të fajit sipas Sveçlës e kanë edhe menaxhmenti i ndërmarrjes për të cilët thotë se i kanë punësuar mbi 100 persona militantë të PDK-së e LDK-së, duke e rënduar edhe më shumë situatën financiare.

“Duhet potencuar se sot për herë të parë shërbimet e trafikut urban janë ndaluar për qytetarët. Duhet potencuar se një pjesë të fajit për keqmenaxhim financiar e ka edhe menaxhmenti i ndërmarrjes publike i cili vetëm gjatë vitit në të cilin jemi ka punësuar mbi 100 persona kryesisht militantë të PDK-së e LDK-së në këtë ndërmarrje”, deklaroi Sveçla.

Edhe Egzon Azemi poashtu nga qendra në Prishtinë e Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se fajtor për gjendjen e ndërmarrjes publike të trafikut urban është Përparim Rama i cili duke i ditur borxhet që ka kjo ndërmarrje, pak para zgjedhjeve lokale liroi shumë kategori nga pagesa e biletës.

Sipas Azemit, ndërmarrje e Trafikut Urban ka hiç më pak se 1 milion euro borxh.

Gjatë ditës, përfaqësuesi i shoqatës së transportuesve privatë, Avdyl Brajshori, ka thënë se ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u ka thënë se duhet mbledhur Kuvendi Komunal i Prishtinës e ta kalojë bartjen e mjeteve. 

Ndërkohë kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka ftuar seancë të jashtëzakonshme për bartjen e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe për buxhetin e vitit 2026. 

Seanca do të mbahet të enjten, më 27 nëntor. 

Megjithatë, Ilmi Gashi kryetar i Sindikatës së Trafikut Urban ka thënë se greva do të vazhdojë edhe të martën. Ai ka treguar për KOHËN se pas mbledhjes së përbashkët me transportuesit privatë, kanë arritur në përfundim që greva të vazhdojë.