Mbi 38 milionë euro vetëm brenda një viti i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 “veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka përfshirë në aktakuzën e tij prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.
Në aktakuzën të cilën e ka publikuar “Koha Ditore”, të nënshkruar nga tashmë ish-prokurori Blakaj, janë akuzuar 12 persona.
“Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, dhe Xhavit Jashari, dyshohet se si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë aktakuzë, raporton Koha.net.
Ish-prokurori Blakaj ishte bazuar në deklaratat e Sami Lushtakut, Rrahman Ramës, Avdi Rracit, Hysni Ngucatit, Spiro Butkës, Bujar Shalës.
Sami Lushtaku në vitin 2011 kishte qenë vetë pjesë e Komisionit. Mirëpo, dy vite më vonë kur ai ishte arrestuar për krime lufte, vendin e tij në këtë komision e kishte zënë kushëriri i tij, Nuredin Lushtaku.
Edhe
Mbi 38 milionë euro në vit i kushtojnë shtetit veteranët e rrejshëm
E ky i fundit ka mohuar të jetë pjesë e aktakuzës.
Madje Gjeneral Nuredin Lushtaku thotë të mos ketë dëgjuar të ketë ekzistuar ndonjëherë një brigadë e quajtur “Hasan Prishtina” në Zonën Operative të Drenicës. Ai thotë se për Zonat tjera nuk mund të flasë nëse ka ekzistuar një brigadë e tillë dhe kërkon nga përgjegjësit e ZO-ve të deklarohen.
Lushtaku, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se për këtë brigadë ka dëgjuar në kohën kur po e zëvendësonte Komandantin e ZO të Drenicës, Sami Lushtakun, në Komision Verifikues pasi që Sami Lushtaku ishte në burg.
Ai thotë se nuk është i akuzuar në këtë rast pasi që, sipas tij, nuk e ka nënshkruar listën e veteranëve të paraqitur si pjesëtarë të Brigadës “Hasan Prishtina”.
“Bazuar në zhvillimet e fundit, nënshkruesit e ‘Brigadës Hasan Prishtina’ në kuadër të ZO të Drenicës mund të jenë edhe kërcënuesit e Prokurorit Blakaj dhe manipuluesit e opinionit publik. Apostrofimi i emrit tim se gjoja jam i akuzuar për diçka që nuk kam nënshkruar është pjesë e po atij manipulimi të qëllimshëm të opinionit publik, nga ata që kanë bërë manipulime me listat e veteranëve, nga ata që krijuan ‘Brigadë’ të re në ZO të Drenicës në vitin 2014”, ka shkruar Lushtaku.
Ky është postimi i tij i plotë:
Për shkak se këto ditë janë hedhur shumë të pavërteta në opinionin publik, ju bëj me dije se asnjë aktakuzë nuk është ngritur ndaj meje, as nuk janë zhvilluar hetime ndaj meje për listat e veteranëve nga prokurori Blakaj, me aq sa di unë as nga ndonjë prokuror apo hetues tjetër.
Unë jam ftuar një herë nga prokurori Blakaj në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshimtit, vlerësojeni vetë, unë dëshminë time e kam dhënë pa avokat. Biseda me prokurorin Blakaj ka qenë informuese dhe sqaruese për të, ishte shumë miqësore për çka ai me falënderoj për sqarimet qe ia kam dhënë.
Edhe
Mbi 38 milionë euro në vit i kushtojnë shtetit veteranët e rrejshëm
Të nderuar, ashtu siç e dini ju, unë jam një nga pjesëtarët e parë të UÇK-së që nga themelimi i saj dhe asnjëherë të vetme, për asnjë minutë nuk jam larguar nga Kosova, kam qëndruar këtu me bashkëluftëtarët, me popullin që nga themelimi i celulave të para të UÇK-së e deri në përfundimin e luftës.
Prandaj, me kërkesën e prokurorit Blakaj unë kam deklaruar njohuritë e mia për të ashtuquajturën “Brigada Hasan Prishtina”, ku kam thënë se në Zonën Operative te Drenicës nuk ka pas një “Brigadë” të tillë dhe se për herë të parë për atë “Brigadë” kam dëgjuar në vitet 2014 -2016 kur është prezantuar para nesh në Komision Verifikues, ku zëvendësoja Komandantin e ZO Sami Lushtakun qe ishte ne burg, asnjëherë për një “Brigadë” të tillë nuk kam dëgjuar në vitet 1990-1999.
Unë kam deklaruar të vërtetën se gjatë luftës nuk ka ekzistuar “Brigada Hasan Prishtina” në vijat komanduese të UÇK-së (ekzistojnë transkriptet dhe proceserverbalet e takimeve), por nëse ka ekzistuar një e tillë në vija të tjera komanduese ju takon protagonisteve të deklarohen.
Unë nuk kam pranuar të nënshkruajë listën e të ashtuquajturës “Brigada Hasan Prishtina”, sepse nuk kanë qenë në vijë komanduese të UÇK-së në ZO të Drenicës. Me gjasë dikush e ka nënshkruar këtë listë, të paktën kështu e kam kuptuar nga ajo çfarë kam biseduar me prokurorin Blakaj, pra se ajo listë është nënshkruar në kuadër të ZO të Drenicës. Kush do qe ka nënshkruar atë “Brigadë” në kuadër të ZO të Drenicës ka bërë gabim, sepse edhe vet protagonistet e asaj Brigade deklarohen se kanë pasë tjetër vijë komanduese.
Le te publikohen dokumentet ku shihet qartë se kush e nënshkroi listën e veteranëve të “Brigadës Hasan Prishtina” dhe të kuptohet e verteta, sepse ajo demaskon manipulantët.
Bazuar në zhvillimet e fundit nënshkruesit e “Brigadës Hasan Prishtina” në kuadër të ZO Drenicës mund të jenë edhe kërcënuesit e Prokurorit Blakaj dhe manipuluesit e opinionit publik.
Apostrofimi i emrit tim se gjoja jam i akuzuar për diçka që nuk kam nënshkruar është pjesë e po atij manipulimi të qëllimshëm të opinionit publik, nga ata që kan bërë manipulime me listat e veteranëve, nga ata që krijuan “Brigadë” të re në ZO të Drenicës në vitin 2014.
Me pergjegjësi të lartë morale dhe penale deklaroj se jap llogari për listën e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”.
Edhe
Gjeneral Lushtaku pyet Thaçin, Blakajn, Lumezin e Hoxhën pse emri i tij është në aktakuzë
Ftoj prokurorin dhe institucionet e drejtësisë që procesin e filluar të hetimeve ta vazhdoj dhe të zbardhin të vertetën për listat e veteranëve, sepse ata që dje manipuluan listat sot janë vënë në aksion që të manipulojn opinionin publik. Drejtesia duhet të veproj dhe nuk guxon të tërhiqet as nga kërcnimet e as nga manipulimet e manipulantëve, pasi që vetëm shpata e drejtësisë i vë gjerat në rrugën e drejtë.
Ata që një kohë gjatë luftës u larguan nga Kosova për në Perëndim si duket kishin perfeksionuar manipulimin dhe mashtrimin, por sot 20 vite më pas ju tregoj se ato manipulime nuk ju dhezin më, unë jam këtu ashtu siç isha gjatë gjithë kohës se luftës.