Arbëri

Lushtaku intervistohet për rrahjen në Kuvend, avokati thotë se veprimet i bëri në vetëmbrojtje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, është intervistuar nga prokuroria për rrahjen e një dite më herët në Kuvendin e Kosovës. Pas intervistimit, avokati i tij, Faton Fetahu, ka thënë se Lushtaku është intervistuar në cilësi të të dyshuarit për sulm, por edhe të viktimës.

Fetahu ka thënë se Lushtaku ka vepruar në vetëmbrojtje.

“Zotëri Lushtaku ishte në vendin e tij të punës për dallim nga zotëri Bislimi dhe anëtarë të tjerë të punës. Ai u sulmua në vendin e tij të punës”, ka thënë Fetahu, raporton KosovaPress.

“Në rrethanat e rastit konkret veprimi i tij ishte si një kundërpërgjigje ndaj skandalit që ka ndodhur dhe që nuk mori përgjigje zotëri Lushataku. Në tensionin që ata reflektonin, veçanërisht pas provokimit të situatës nga Bislimi që e hoqi fotografinë e vendosur nga deputetët. Ky është rasti i parë i një anëtari të qeverie që ndërhyn në sallën e Kuvendit. Në refleksion të tensionit që transmetonte është vlerësuar e nevojshme një veprim që ka imunitet zotëri Lushtaku, një spërkatje me ujë. Ky nuk është një veprim që cenon integritetin fizik të anëtarë të Qeverisë, por fatkeqësisht nga ana tjetër nuk ishte përgjigja e njëjtë dhe jo reciproke. Pasi ai u sulmua i pari dhe ne të gjitha këto elemente i kemi prezantuar para prokurores”, ka thënë ai.

Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Bislimi u përgjigj duke e gjuajtur me shishe. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun dhe ka nisur përleshja fizike ku u përfshinë edhe deputetë të tjerë.