Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka zhvilluar të premten në seancë të Kuvendit një aksion kundrejt Qeverisë së Kosovës.
Lushtaku ia ka vënë në mënyrë simbolike një infuzion kryeministrit, Albin Kurti.
Gjatë kohës sa Lushtaku e mbante infuzionin, Kurti qeshte me të.
Ky aksion është zhvilluar në kohën kur në foltore të Kuvendit fliste ministri i Financave, Hekuran Murati, i thirrur në interpelancë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
"Edhe qeveria edhe shëndetësia kanë nevojë për infuzion. Qeverisë Kurti i ka humbur rruga në oborr. Gjendja në shëndetësi është e rëndë, me mungesë të barnave nga lista esenciale kurse në kulmin e krizës vjen dorëheqja e Ministrit të dytë në një vit e gjysmë qeverisje. Një infuzion ia vendosa sot për shkak qe qeveria është aq e dobët, sa nuk po qëndron dot në këmbë. Duke parë dhe paaftësinë në përgjithësi të Qeverisë, më së miri do të ishte dorëheqja e kryeministrit sepse po dështon në çdo sferë të jetës", ka shkruar më pas Lushtaku në Facebook.