Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lushtaku: Drejtësisë nuk i kemi ikur asnjëherë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, ka thënë se shqiptarët nuk i kanë ikur kurrë drejtësisë, teksa ka reaguar në rrjete sociale një ditë pas intervistimit nga Gjykata Speciale, dhe konfiskimit të telefonit.

Ai nuk ka dhënë detaje nga intervistimi. Ka thënë se shqiptarët kanë luftuar gjithmonë për liri, barazi e demokraci.

“Dëshiroj të ju falënderoj përzemërsisht për interesimin dhe mbështetjen e madhe pas zhvillimeve të ditës së djeshme, të cilat kanë mundur të shkaktojnë shqetësime tek secili prej jush. Gjatë gjithë jetës sime jam munduar të punoj me nder, duke pasur në rend të parë interesin e vendit dhe popullit tim. Jam krenar për gjithçka çfarë kam bërë për vendin tim, liria e të cilit erdhi pas luftës dhe sakrificës së mijëra dëshmorëve e martirëve të cilët ranë gjatë luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999. Në kërkim të Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë, ne shqiptarët kemi paguar çmim të lartë. Drejtësisë nuk i kemi ikur asnjëherë sepse lufta jonë ishte luftë për liri, barazi e demokraci. Kjo është e vërteta jonë!” ka shkruar ai.

Të shtunën në mbrëmje, nënkryetari i Skenderajt u intervistua në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë. Pas intervistimit, avokati i tij Artan Qerkini bëri të ditur se i është konfiskuar telefoni.