Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se është e indinjuar me kahjen që ka marrë situata rreth zgjedhjes së presidentit.
Lushaku-Sadriu ka thënë se është e indinjuar me sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje, me propozimin e Glauk Konjufcës kandidat për president. Ajo ka thënë se po shfaqet tendenca për t’i kapur institucionet kryesore politike në vend.
“Si LDK e kemi parë me shqetësim kahjen e re të këtij procesi dhe mbylljen një mundësie që të gjindet një kompromis e cila do të mënjanonte bllokadat sistematike institucionale. Kjo është një rrugë njëkahëshe, pa krye, është drejtim kah zgjedhjet e reja të cilat janë totalisht të panevojshme edhe e paraqet tendencën për të kapur institucionet kryesore në vend. Ne sot po e shprehim indjinatën tonë, kemi dhënë si parti gjithçka, kemi provuar t’i japim vendit zgjidhje duke ofruar mundësinë e dialogimit”, ka thënë Lushaku-Sadriu në konferencën për media.
E pyetur nëse është diskutuar emri i Glauk Konjufcës dhe Vjosa Osmanit si kandidatë për president, Lushaku-Sadriu tha se “emrat e përveçëm nuk janë diskutuar”.
Sa i përket mundësisë që Vjosa Osmani të kthehet në LDK ajo ka thënë se secili që përfaqëson ideologjitë e njëjta është i mirëseardhur porse specifikisht vendosë kryesia e LDK-së.
“LDK-ja është shtëpi e madhe dhe shohim e bëjmë. Secili përfaqëson vlera politike, duhet gjithmonë të qëndrojmë brenda vlerave që përfaqësojmë, ideologjive tona brenda partisë poliitke. Kur i takon një blloku politik je gjithmonë i mirëseardhur në një shtëpi por tani nuk është diçka që e përcaktoj unë, e përcakton kryesia e LDK-së”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Edhe
Lushaku-Sadriu: Kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së
E pyetur edhe nëse do të marrin pjesën në seancën për presidentin, Lushaku-Sadriu deklaroi se nuk do të shkaktojnë bojkot por do të varet nga kandidatët dhe vendimi se a e përkrahin ose jo.
“Ne nuk do të shkaktojmë bojkot, obligimet dhe përgjegjësitë e secilit deputet dihen, ne do të jemi në suazë të të drejtave dhe përgjegjësive tona politike. Do të kemi gjithmonë një arsye për secilën sjellje. Definimin e sjelljes sonë do ta shihni, do të varet shumë nga seanca, mënyra, kandidatët dhe përkrahja që ne ia japim një kandidature ose jo”, ka thënë Lushaku-Sadriu në konferencën për media.