Aktivisti i shoqërisë civile në Deçan, Adem Lushaj, ka përgëzuar prokurorinë për ngritje të aktakuzave ndaj dy personave për rastin e helmimit në Deçan.
Prokurori Durjan Juniku ka njoftuar sot se është ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale “Hidrodrini” për rastin e helmimeve në Deçan. Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “mosevitim të rrezikut”.
Juniku tha se u helmuan mbi 1500 persona në korrik të vitit të kaluar, prej tyre 51 fëmijë.
Por Lushaj në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se janë helmuar mbi 2000 persona atëbotë, e dyshimi i vetëm ishte nga uji. Lushaj ka thënë se qindra kanë marrë ndihmë në ordinanca private, përfshirë edhe familjarët e tij.
Ai ka thënë se shpreson që fajtorët të marrin dënimin e merituar.
Ndërkohë sa i përket insistimit të kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj, që Deçani ta menaxhojë ujin e vet të pijes, Lushaj ka thënë se do të ishte mjaft mirë kjo.
Edhe
Lajçi: S’është vërtetuar se helmimet në Deçan ndodhën nga uji i pijshëm
E Lushaj ka treguar se ai, si dhe shumë qytetarë tjerë në Deçan, ende nuk e konsumojnë ujin nga ujësjellësi për pije.
“Dalim me shishe marrim ujë në fshatin Strellc apo në Deçan, ende nuk jemi në gjendje të konsumojmë ujin e pijes, pasi IKSHPK-ja ende nuk ka dalë me ndonjë qëndrim. Po marrim ujë nëpër ujësjellës tjetër, e shfrytëzojmë ujin vetëm për pastrim apo e vlojmë. Për pije duhet të marrim në Strellc apo në Deçan. Si unë jam shumë tjerë. Ka të tillë që konsumojmë për shkak se nuk kanë kushte të blejnë ujë apo të dalin të marrin”, ka thënë Lushaj.