Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lura Pollozhani në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 47-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është hulumtuesja Lura Pollozhani.
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Surroi: Sfida kryesore është që kufiri Kosovë–Serbi të mos bëhet vijë ndarëse mes Perëndimit dhe botës euro-aziatike

45 min. më parë / 22 mar 2026 20:54
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se sfida kryesore e sigurisë për Kosovën është që kufiri me Serbinë të mos shndërrohet në vijë ndarëse mes botës perëndimore dhe asaj euroaziatike, por që i gjithë rajoni të bëhet pjesë e hapësirës së përbashkët evropiane të sigurisë.

Gjatë bashkëbisedimit në podcastin “PIKË” me hulumtuesen Lura Pollozhani, Surroi theksoi rëndësinë e orientimit strategjik të Kosovës drejt Perëndimit dhe integrimit në strukturat evropiane të sigurisë dhe politikës.

“Ana e duhur e historisë është ana e cila e ruan identitetin tonë evropian, demokracinë tonë funksionale, krijon hapësirë që të që të jemi në një hapësirë të përbashkët të sigurisë evropiane, që të jemi në një hapësirë të përbashkët të sigurisë në Ballkan Perëndimor dhe që këtë ta mbërrijmë në një kohë relativisht të shpejtë. Pra, që kjo mos të jetë projekt afatgjatë deri të kriza e ardhshme botërore, por të jemi në këtë drejtim, unë besoj që sfida kryesore e sigurisë për Kosovën është që në fund të këtij procesi kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, mos të jetë kufiri ndarës mes botës perëndimore dhe botës euroaziatike, por që i tërë ky regjion, të jetë pjesë e një hapësire politike e të sigurisë evropiane, dhe mendoj se ka mundësi për një gjë të tillë”, ka thënë Surroi.

Ai foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se kjo lidhje është e qëndrueshme dhe nuk lidhet me individë apo administrata të caktuara.

“Natyrisht ne kemi një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo lidhje e veçantë për Shtetet e Bashkuara e Amerikës nuk është ciklike, as nuk është e personalizuar. Ne e kemi ndërtuar një relacion, i cili nuk lidhet drejtpërsëdrejti me një president, me një parti. ndonëse zhvillimet janë kaq dramatike në botë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që disa prej marrëdhënieve tradicionale kanë, do të rikonfigurohen, do të rigjejnë formën e vet. Unë kam besim... duke qenë i vogëlsi vend i vogël, ne nuk kemi nevojë për shumë analiza shumë të mëdha, por kemi nevojë për të kuptuar thellësinë e ndryshimit historik”, u shpreh ai.
 

Gjenerata “Z” proteston më shumë online, Pollozhani: Shteti ndryshohet vetëm me protesta fizike

1 o. më parë / 22 mar 2026 20:16
Lura Pollozhani

Hulumtuesja Lura Pollozhani ka deklaruar se gjenerata “Z” po e zhvendos gjithnjë e më shumë aktivizmin dhe protestën në rrjete sociale, por ndryshimet reale politike kërkojnë ende protesta fizike dhe pjesëmarrje në terren.

Gjatë bashkëbisedimit në podcastin “PIKË”, publicisti Veton Surroi dha detaje mbi studimin e Pollozhanit, duke theksuar të rinjtë të cilët kalojnë mesatarisht rreth pesë orë në ditë para ekraneve dhe burimi kryesor i informimit për ta është Instagrami. Sipas Surroi, kjo ka ndikuar që protesta dhe reagimi politik të zhvendosen në hapësirën digjitale, përmes “like”, “dislike” dhe postimeve në rrjete sociale, por jo gjithmonë me pjesëmarrje fizike në protesta.

Pollozhani ndërkohë përmendi edhe idenë e shprehur vite më parë nga Malcolm Gladwell, i cili kishte thënë se revolucioni i ardhshëm nuk do të bëhej në Twitter, duke argumentuar se shteti dhe politika janë fizike dhe për t’i sfiduar ato duhet prani fizike në rrugë, përmes protestave.

“E vërtetë, mendoj që aspekti i aktivizmit digjital ndoshta e ka marrë këtë aspektin e protestës të rrugës, por, më duket kur pat filluar ky aktivizimi digjital, Malcolm Gladwell, pati pasur një artikull në New Yorker që po thoshte: “Why the next revolution won‘t be twitted”, domethënë revolucioni i ardhshëm nuk do të jetë në Twitter, ose tash “X”... kanë ndryshuar gjërat”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se protestat shpesh ndodhin në rrugë kur qytetarët ndjejnë se nuk kanë më zë brenda institucioneve, prandaj e nxjerrin pakënaqësinë jashtë, në atë që quhet “politika e rrugës”.

Sipas saj, gjenerata “Z” megjithatë ka treguar se di të mobilizohet për kauza të caktuara, duke përmendur lëvizjen Fridays for Future të nisur nga aktivistja Greta Thunberg, ku të rinjtë në shumë vende të botës kanë protestuar për çështjet e mjedisit. Ajo theksoi se dy temat kryesore ku gjenerata “Z” është mobilizuar më së shumti janë mjedisi dhe Gaza.

 

Pollozhani: Gjenerata “Z” në Kosovë optimiste për të ardhmen, por skeptike ndaj politikës

1 o. më parë / 22 mar 2026 20:08
Lura Pollozhani

Hulumtuesja Lura Pollozhani ka deklaruar se gjenerata “Z” në Ballkanin Perëndimor e veçanërisht në Kosovë karakterizohet me optimizëm dhe shpresë për të ardhmen, por njëkohësisht shfaq skepticizëm dhe mungesë interesi ndaj politikës.

Gjatë bashkëbisedimit në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Pollozhani tregoi se studimi i udhëhequr prej saj me rreth 6000 respondentë në Ballkanin Perëndimor ka analizuar qëndrimet politike dhe shoqërore të të rinjve të lindur mes viteve 1997 dhe 2012, të njohur si gjenerata “Z”.
Sipas saj, në nivel global është vërejtur një dallim gjinor në qëndrimet politike, ku vajzat po bëhen më progresive dhe më të prira të votojnë për parti të majta ose të gjelbra, ndërsa djemtë po shfaqin prirje më konservatore, madje ndonjëherë edhe më shumë se gjeneratat e mëhershme. Studimi ka synuar të shohë nëse kjo tendencë është e njëjtë edhe në Ballkan.

Pollozhani theksoi se një nga gjetjet më befasuese të studimit është niveli i lartë i optimizmit te të rinjtë në rajon, veçanërisht në Kosovë, e cila sipas saj rezulton të jetë më optimistja në të gjithë pyetësorin dhe me më shumë shpresë për të ardhmen në Bashkimin Evropian krahasuar me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Kjo është ndoshta gjetja më specifike për mua, në aspektin që nuk e prisja, sepse e kemi këtë tendencën, po edhe në fakt po e hapëm tani telefonin, menjëherë do të biem në depresion, sepse ka aq shumë lajme dhe asnjëra s’na duket e mirë”, ka thënë ajo. 

Megjithatë, ajo shtoi se përkundër optimizmit, kur bëhet fjalë për politikën, shumë të rinj shfaqin skepticizëm, frustrim dhe mungesë interesi për t’u përfshirë në proceset politike.