Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lumezi thotë se s’lejon askënd që të ndërhyjë në Prokurori

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se nuk do të lejojë askënd që të ndërhyjë dhe të ndikojë në punën e Prokurorit të Shtetit, në ndjekjen dhe hetimin e rasteve individuale.

Këtë deklaratë, Lumezi e tha gjatë takimit që pati sot me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova.

Lumezi, sipas njoftimit nga Prokuroria, ka deklaruar se “Prokurori i Shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për përfundimin sa më të shpejtë të rastit të veteranëve dhe dërgimin e akteve përkatëse në gjykatën kompetente, ashtu siç e përcakton ligji”.

Çështja e veteranëve të UÇK-së ka nxitur debat kohëve të fundit në vend, pas letrës së ish-prokurorit Elez Blakaj, që tha se Lumezi dhe liderë shtetërorë e kanë kërcënuar gjatë hetimeve të veteranëve të rrejshëm. Pas dorëheqjes së Blakajt dhe fyerjeve që iu bënë në drejtim të tij nga Lumezi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë nisur protesta në kërkim të shkarkimit të Lumezit dhe nisjes së procesit të vetingut në sistemin gjyqësor. Sot një e tillë mbahet me fillim prej orës 18:00 në Prishtinë.

“Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se është duke u angazhuar për krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë prokurorët e shtetit, që ata të funksionojnë në mënyrë efikase, profesionale dhe të pandikuar nga askush”, thuhet më tej në njoftim.

Lumezi e Apostolova kanë diskutuar edhe për rastet e shenjëstruara nga Prokuroria për liberalizimin e vizave dhe për rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale. Lumezi ka thënë se prokurorët janë të vendosur dhe të gatshëm të kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për t’u përballur me sfidat që ka ky institucion.

Në anën tjetër, Apostolova ka premtuar se BE-ja përmes projekteve të ndryshme do të vazhdojë ta përkrahë institucionin e Prokurorit të Shtetit, në drejtim të forcimit të sundimit të Ligjit në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm