Një javë pasi që kanë qarkulluar versione të ndryshme për dorëheqjen e tij, Elez Blakaj ka dhënë detaje për herë të parë për largimin.
Në një reagim të gjatë në ‘Facebook’, Blakaj ka hedhur akuza të shumta për kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezi.
Fillimisht, e ka pranuar për herë të parë se ka pasur kërcënime për rastin e veteranëve, por nuk i ka denoncuar, sepse nuk ka besim në sistemin aktual të drejtësisë, që e vlerëson të politizuar.
“Kam pranuar thirrje telefonike nga persona të njohur e të panjohur, më kanë kontaktuar personalisht edhe fizikisht , duke më përcjell lloj-lloj mesazhesh e duke u thirrur në luftën e shenjtë të UÇK-së “ se ki kujdes ku je hi”, “ki kujdes se po do m’i njollos vlerat e luftës”, “ pse a po te dhimbën paret e shtetit ty, a mos po t’i marrim ty”, “ le, bonja si tjerët” etj., mirëpo të gjitha këto i kam tejkaluar dhe kam vazhduar me punën time me një ekip të vogël bashkëpunëtorësh me synimin final që ta kemi një hetim të mirëfilltë, të thellë, gjithpërshirës që duhej të kulmojë me një vendim të bazuar në fakte dhe ligj, në rastin konkret me aktakuzë, që nuk kuptoj arsyet pse ende nuk është dërguar në gjykatë.
E për t’ua bërë të qartë se do vazhdoj të hetoj dhe nuk do të ndalem, pavarësisht tentimeve për frikësim, të gjithë anëtarët e Komisionit Verifikues Shtetëror për njohje dhe verifikim të veteranëve, personalisht i kam intervistuar. - A është dashur t’i lajmëroj këto raste, përgjigja është pooo...., por KU!!!”
Edhe
Prokurori Elez Blakaj, shpjegon për herë të parë në detaje arsyet e dorëheqjes së tij
Ka treguar se Lumezi e ka penguar në hetimin e listës së veteranëve të rrejshëm, dhe e ka kërcënuar me masa disiplinore kur ky ka planifikuar ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit, kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli dhe për vazhdimin e rastit Pronto.
“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, kryeprokurori i shtetit,z. Aleksander Lumezi, urgjentisht më fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si dëshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”.... Po ashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nëse nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të më dërgoj në komision disiplinor... ndërsa unë i jam përgjigjur “Lirisht të parin dërgomë mua, s’e kam problem fare”.
Më pas në letër, Blakaj thotë se në një takim që e kishte ftuar bashkë me prokurorët Reshat Millaku, Drita Hajdari dhe Lulzim Sylejmani, Lumezi kishte ulëritur duke kërkuar llogari pse ishte ngritur aktakuzë për rastin Pronto.
Duke marrë shkas nga kjo, Blakaj ishte marrë vesh me Kryeprokurorin e Speciales, Reshat Millaku që të mos e informojë më Lumezin për procesin e hetimeve dhe aktakuzës për veteranët, por e kuptoi më vonë që Lumezi i dinte të gjitha e Millaku e bllokoi aktakuzën në zyrën e tij.
Blakaj thotë se u zhgënjye edhe me Kryetarin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufi i cili insistoi vazhdimisht që nga aktakuza të hiqej emri i ministrit të FSK-së, Rrustem Bersiha.
Edhe
Blakaj: Millaku po hesht në raport me Lumezin, kërkesa për masë të përkohshme arsye për ta dështuar rastin
Në fund të letrës, Blakaj thotë se nuk ka mundur t’i adresojë shqetësime e tij brenda sistemit prokurorial, pasi që ai është në duar të një numri të caktuar të prokurorëve të cilët nuk njohin ligj dhe procedura.
Dorëheqja e Blakajt u bë publike javën e kaluar. Ai më 11 korrik kishte ngritur aktakuzë kundër Agim Çekut, Rrustem Berishës, Shkumbin Demaliajt dhe të tjerëve për keqpërdorim të listës së veteranëve dhe futjen në to jashtëligjshëm të rreth 20 mijë emrave.