Kryeprokurori Aleksandër Lumezi është akuzuar nga prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj, i cili po merrej, veç tjerash, edhe me rastin e veteranëve të rrejshëm.
Në një reagim të gjatë në Facebook, Blakaj fillimisht e ka pranuar për herë të parë se ka pasur kërcënime për rastin e veteranëve, por nuk i ka denoncuar, sepse nuk ka besim në sistemin aktual të drejtësisë, që e vlerëson të politizuar.
Ka treguar se Lumezi e ka penguar në hetimin e listës së veteranëve të rrejshëm, dhe e ka kërcënuar me masa disiplinore kur ky ka planifikuar ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit, kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli dhe për vazhdimin e rastit “Pronto”.
Ndërkaq, në rrjetin social Facebook, ka nisur të shpërndahet një thirrje për protestë për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.
“Tash është e qartë: prokuroria është në shërbim të politikës. Edhe po të ketë prokuror/e si Elez Blakaj që ka vullnet për ta luftuar korrupsionin, do të pengohet nga Kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj. Qytetari i Republikës në rrethana të tilla duhet të jetë në krye të përgjegjësive dhe detyrave të veta qytetare. Sot, detyrë është kërkesa për shkarkimin e Prokurorit Lumezi dhe fillimin e procesit të vetingut për gjyqësorin e vendit tonë. Të mërkurën, me datë 22 gusht 2018, nga ora 18:00 te Sheshi “Zahir Pajaziti” fillon tubimi dhe marshi drejt Zyrës së Kryeprokurorit dhe Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në thirrjen për protestë nga iniciativa qytetare “Protestoj”.