Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Luksemburgu mezi pret rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, i cili e ka uruar për marrjen e detyrës së re në krye të Qeverisë, gjithashtu, ka thënë se mezi pret rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Luksemburgu vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës dhe në këtë drejtim, mezi pres të shoh rifillimin e shpejtë të dialogut Prishtinë – Beograd të lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, thuhet në letër.

Në letrën që ka pranuar Hoti, thuhet gjithashtu se Luksemburgu, dëshiron t’i forcojë edhe më tej raportet me Kosovën.

“Më lejoni që në emër të Dukatit të Madh të Luksemburgut, si dhe në emrin tim personal t’ju përgëzoj përzemërsisht për emërimin tuaj kryeministër i Republikës së Kosovës. Luksemburgu është një partner dhe mik i përhershëm i Kosovës dhe shpresoj që së bashku të forcojmë më tej lidhjet midis vendeve dhe popujve tanë dhe të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të frytshëm dypalësh”, thuhet në letër”, thuhet tutje.

Kryeministri i Luksemburgut, Bettel, gjithashtu ka folur për sektorin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Shpresoj gjithashtu të shoh një vazhdim të përpjekjeve për reforma në sektorin e drejtësisë dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi që sundimi i ligjit është një hap thelbësor për Kosovën në rrugën e saj evropiane”, përfundon letra.