Arbëri

Hoti në telefon me Kurzin: Kosova e gatshme për dialog me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njofton se pati sot një bisedë telefonike me kancelarin e Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz, të cilit i shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Austria i kë dhënë vendit tonë.

Siç bëhet e ditur në kumtesën e kryeministrisë, Hoti e njoftoi kancelarin austriak për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, posaçërisht për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e kësaj pandemie.

“Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për ta përmbyllur me sukses procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike dhe, si përherë deri më tani, pret mbështetjen e plotë të kancelarit Kurz dhe të vendit të tij”, thuhet në njoftim.

Theksohet se Hoti i propozoi kancelarit Kurz krijimin e Forumit Ekonomik Austri-Kosovë me pjesëmarrjen e të dy kryeministrave.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e gatshme që dialogu të vazhdojë, me qëllim që ndërmjet të dyja vendeve të arrihet një marrëveshje e përhershme paqeje e stabiliteti, që nënkupton edhe njohjen reciproke”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, theksohet tutje, kancelari austriak Sebastian Kurz ritheksoi gatishmërinë e vendit të tij për ta mbështetur edhe më tej Kosovën dhe të gjithë rajonin në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet ndër prioritet kryesore të politikës së jashtme austriake.