Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Luksemburgu mbështet Kosovën për zbatimin e MSA-së me 2 milionë euro

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se është rritur angazhimi në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane dhe Programit Kombëtar për MSA-në.

Kështu Hoxha tha në ceremoninë e lansimit të projektit te bashkëpunimit me Luksemburgun, për asistencë teknike në kontekst të integrimit evropian, 2018-2022, ku morën pjesë e Ngarkuara me punë e Ambasadës së Luksemburgut, Anne Dostert dhe ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad si dhe zyrtarë të lartë të BE-së.



“Qëllimi është zbatimi efikas i MSA-së në veçanti dhe agjendës së integrimit në përgjithësi në mënyrë që të jemi të gatshëm për fazat e ardhshme të integrimit. Gjithashtu, synohet edhe forcimi i komunikimit duke mbështetur zbatimin e strategjisë tonë për komunikim dhe informim të procesit të integrimit”, theksoi ajo.

Hoxha ka bërë të ditur se marrëveshja e bashkëpunimit me Luksemburgun për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e MSA-së në fusha prioritare është 2 milionë euro për 4 vjet, me 100 mijë euro bashkëfinancim i Kosovës.

Ajo ka shtuar se për marrëveshje të ngjashme në 9 fusha tjera janë duke diskutuar edhe me Norvegjinë.

“Për ministrinë tonë, kjo iniciativë ka rëndësi të veçantë pasi që për herë të parë implementimi bëhet direkt nga Ministria e Integrimit përmes një mekanizmi për kapacitete dhe natyrisht me ndihmën e Agjencisë për Zhvillim të Luksemburgut dhe Ambasadës Norvegjeze në Kosovë. Pra, përveç forcimit të kapaciteteve për zbatim të MSA-së, mekanizmi do të ndikojë pozitivisht edhe në forcimin e kapaciteteve tona për menaxhim të fondeve dhe projekteve”, theksoi Ministrja Hoxha.