Një udhëtim i zakonshëm me tren për një 26-vjeçare përfundoi shumë keq. Ajo mori ndihmë në urgjencë, pasi u godit në kokë me gur nga persona të panjohur në afërsi të fshatit Grabovc. Ndaj incidentit të fundit në një varg sulmesh ndaj trenave në Kosovë, ka reaguar ndërmarrja Trainkos, duke iu bërë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla
Në afërsi të fshatit Grabovc të Obiliqit një grua 26-veçare u godit me gurë sa ishte duke udhëtuar me trenin e linjës Prishtinë-Pejë.
Rasti ka ndodhur të shtunën dhe është evidentuar në raportin 24-orësh të Policisë.
“Viktima ka njoftuar Policinë se derisa ka qenë duke udhëtuar në tren (drejtimi Prishtinë–Pejë), dikush ka hedhur një gur në drejtim të trenit, ku ankuesja është qëlluar në kokë. Viktima pas pranimit të trajtimit mjekësor është liruar. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e Policisë të dielën.
Lidhur me këtë incident kanë reaguar edhe në ndërmarrjen që menaxhon me trenat.
Në reagimin e Tranikos u bëhet thirrje qytetarëve të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo të rrezikshëm në afërsi të linjave hekurudhore.
“Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish”, thuhet në reagimin e ndërmarrjes.
Kjo ngjarje nuk është e vetmja e këtij lloji.
Në ndërmarrjen “Trainkos” ankohen vazhdimisht për sulme të ngjashme me gurë në drejtim të trenave, për pasojë shumica e vagonëve i kanë xhamat e thyer.
Në fillim të prillit, disa vagonë u dëmtuan në stacionin hekurudhor në Han të Elezit, vetëm pak ditë pasi ishin riparuar me një investim prej 423 mijë eurosh.
E në fundvitin e shkuar, trenat me udhëtarë u sulmuan disa herë, madje në një rast në tetor ishin vendosur gurë mbi binarë, të cilët janë hasur nga makinistët, duke shmangur një fatkeqësi të mundshme.
Sipas raportit vjetor të Trainkos-it, në vitin 2024 trenat për udhëtarë janë riparuar 70 herë, kryesisht për shkak të dëmtimeve nga vandalizmi.