Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Loxha: Presidenti duhet të jetë faktor i unitetit, por partitë po kalkulojnë

Arbresha Loxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se partitë politike po kalkulojnë me çështjen e presidentit, teksa kanë mbetur edhe më pak se një javë deri në afatin për zgjedhjen e tij ose për të shkuar në zgjedhje të reja.

Ajo ka thënë se gjetja e një emri konsensual për këtë post “nuk është shkencë në vete”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Çështja e konsensusit dhe që emri i presidentit të jetë i pranueshëm për të gjithë vjen nga ajo që të duhet të jetë faktor i unitetit. Pra të gjithë të ndihen të përfaqësuar nga ai apo ajo. Por edhe në të kaluarën edhe tash po shohim se partitë politike po kalkulojnë. Po kalkulojnë disa prej tyre në kuptimin e mospërmendjes së emrave, disa po rezervohen e po kërkojnë ndoshta përfitime a marrëveshje politike që të votojnë presidentin e ardhshëm”, ka thënë ajo në “60 Minuta” në KTV të enjten.

Kalkulimet politike, sipas saj, jo domosdoshmërisht do të nxjerrin figurë unifikuese.

Loxha ka thënë se zvarritja e këtij procesi është shumë shqetësuese. Ajo ka thënë se Kosova nuk e ka luksin që të shkojë sërish në zgjedhje të reja. Loxha ka shtuar se partitë e kanë përgjegjësinë që të tregojnë gatishmëri dhe të dalin nga kriza e të shmangin një krizë të re. Sipas saj, kjo është përgjegjësi e të gjithë spektrit politik, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe në vend, ajo ka vlerësuar se është dashur që të dalë me propozim e që partitë opozitare ta mbështesin apo jo, e nëse jo të nxjerrin emra të tjerë.

Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, Loxha ka vlerësuar se emisari evropian, Peter Sorensen, është mirë që është ndërmjetës “sepse është më i paanshëm”, se parapraku Miroslav Lajçak.

Ajo ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin për të rinisur raportet me Bashkimin Evropian, teksa ka shtuar se pret që të ketë presion për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Deri tash partitë nuk kanë dalë me ndonjë propozim për çështjen e presidentit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Takimet për çështjen e presidentit është paralajmëruar se do të vazhdojnë.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i përfundon mandati më 4 prill, ka shprehur ambicien për mandatin e dytë.

E të enjten, kandidaturën e shpalli edhe ish-ministri e ish-deputeti Arsim Bajrami.

Kushtetuta specifikon se presidenti duhet të zgjidhet një muaj para se t’i mbarojë mandati presidentit aktual. Pra në rastin aktual, më 4 mars.