Arbëri

Llumnica: E pamjaftueshme paga minimale prej 264 eurosh bruto

Llumnica: E pamjaftueshme paga minimale prej 264 eurosh bruto

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk pajtohet me Qeverinë e Kosovës, e cila të mërkurën i hapi rrugë miratimit të pagës minimale prej 264 euro bruto dhe 250 neto.

Nexhat Llumnica si përfaqësues i BSPK-së, tha se ky mospajtim vjen si pasojë e situatës në vend me rritjen e çmimeve.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë jetë të dinjitetshme dhe se për shkak të pagave të gjithë dëshirojnë të largohen nga vendi.

“Çmimet janë rritë jashtëzakonisht shumë dhe paga minimale është janë jashtëzakonisht e ulët. Ne nuk kemi kërkuar diçka që e pengon qeverinë, që e dëmton buxhetin, përkundrazi do të ishte në mirëqenien e punëtorit duke pa që gjithë qytetarët e vendit janë të interesuar të ikin nga ky vend sepse nuk respektohet ligji, nuk respektohet kontrata, nuk ka kontrata. Jam i bindur që të gjithë ka dëshirë të ikin nga ky vend sepse është shumë normale që ta gjejnë një jetë më të mirë, më të dinjitetshme dhe këtë nuk po e gjejnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Llumnica ka thënë se paga minimale e propozuar nuk është e mjaftueshme dhe sipas tij “duhet të gjendet forma si të ndalen këta njerëz që nesër sektori privat e publik të mos mbetet pa punëtorë”. Shtoi se asnjë familje nuk është e kënaqur me pagë 250 euro.

Foli edhe për vendimin e Qeverisë për 100 euro shtesë për disa kategori. Tha se BSPK-ja e mirëpret, por se nuk ka qenë në përputhje me kërkesën e sindikatave që të ngritën pagat në sektorin publik dhe ndërmarrjet publike.

Llumnica ka treguar për opsionin që i është dhënë Qeverisë së Kosovës për kategorinë e veteranëve të luftës. Sindikatat kërkojnë që veteranët të mos tatohen, të punësohen dhe duke krijuar lehtësi në buxhetin e shtetit, krijohet hapësira financiare për të tjera kategori.

“Ne nuk jemi fajtorë se janë një numër i madh i veteranëve të luftës. Lëmi dhënë disa opsione për ta sepse është mirë që ata të mos tatohen dhe të punësohen dhe të mos i vihen barrë shtetit me ato pagesa që i kanë. Veteranëve duhet t’u krijojë mundësi me përparësi ligjore të punësimit, të lirohet buxheti i shtetit, mos të tatohen që t’u jepet motiv , jo t’i bëjmë veteranët parazitë e të sëmurë, por të punojnë, të gjenden më mirë, të kenë jetë më të dinjitetshme dhe invalidët e luftës të kenë paga më të mira”, theksoi ai.

Sindikalistët do të vazhdojnë me aktivitetet sindikale, njoftoi Llumnica, ku përfshihen edhe protestat e mëtejme.