Arbëri

BSPK-ja kërkon “formulë tjetër” për pagën minimale, s’pranon nën 300 euro

Pas dështimit të rritjes së pagës minimale, një takim tjetër mes Këshillit Ekonomiko-Social pritet që të mbahet gjatë javës së ardhshme. Aty do të ndërmerret edhe një përpjekje për rritjen e kësaj page në 300 euro dhe jo në 264, sa ka propozuar Qeveria. Nga sindikatat thonë se nuk pajtohen me një pagë që nuk përkon me rrethanat ekonomike në Kosovë.

Një përpjekje e radhës për rritjen e pagës minimale do të ndërmerret javën që vjen.

Për rritjen e saj në 264 euro, aq sa propozoi Qeveria, nuk u pajtuan të enjten sindikatat e punëtorëve dhe kësisoj ajo dështoi të miratohej.

Drejtuesi i Këshillit Ekonomiko-Social, që njëherësh është edhe kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, tha se nuk votuan pro, meqë konsiderojnë se paga minimale duhet të rritet së paku në 300 euro.

“Gjatë javës që do të vijë do të thërras partnerët socialë dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë më tutje”, ka thënë Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.

Ndonëse nuk u pajtuan me Qeverinë aktuale për rritjen e pagës minimale në 264 euro, këta sindikalistë gjatë qeverisjes së Haradinajt vetë i kishin propozuar Ekzekutivit rritjen e saj për 10 euro më pak, në 250.

Por, për këtë ndërrim qëndrimesh Hykolli ka një arsyetim.

“Vetë fakti që më 2017 ne e kemi rekomanduar Qeverinë e asaj kohe për pagën minimale 250 euro, do të thotë se tash duhet të ndryshojë për arsye se kanë evoluuar shumë çmimet, sidomos çmimet më esenciale. Kështu që ajo pagë edhe logjikisht nuk mund të jetë tash, por duhet të jetë një formulë tjetër”, ka thënë ai.

Sipas ekonomistit Sejdi Rexhepi, paga minimale nuk duhet të jetë më e vogël se 300 apo 350 euro. Ai thotë se pragu i saj duhet të vendoset duke u bazuar në tre faktorë.

“E para është shporta e konsumit në të cilën harxhohet paga minimale. E dyta është shkalla e produktivitetit të ekonomisë, bruto produkti i përgjithshëm, dhe e treta madhësia e buxhetit. Që të tre këta faktorë gjatë periudhës 2011 – 2022 janë rritur, është rritur GDP, është rritur edhe buxheti, ndërkohë që shporta e konsumatorit gjithashtu ka pësuar rritje, kurse paga minimale ka mbetur në nivelin aktual çfarë është”, ka deklaruar ai.

Se si do të vazhdojë diskutimi dhe a do ta ndryshojë Qeveria propozimin e saj për pragun e pagës minimale në nivelin e kërkuar nga sindikatat, gjatë të premtes nuk janë deklaruar nga Ministria e Financave.