Takimi mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa marrëveshje. Të dy në prononcim për media, pas takimit që zgjati mbi tri orë, thanë se do të vazhdojnë diskutimet. Kurti tha s’e s’ka marrëveshje politike, e Abdixhiku tha se nëse nuk arrihet marrëveshja deri më 6 gusht, kur është seanca konstituive, atëherë të procedohet pasi tha se LDK-ja s’ka interes në postin e kryetarit të Kuvendit. Abdixhiku e quajti këtë post si “ceremonial” që i takon partisë fituese.
Abdixhiku: LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, është figurë ceremoniale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk ka apetit që të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar si figurë ceremoniale që i takon partisë së parë sipas Kushtetutës.
Pas përfundimit të takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti të martën, Abdixhiku ka thënë se për çështje të tjera ka afat kohor shtesë.
“Nëse deri më 6 gusht s’kemi marrëveshje, i kemi thënë të vazhdojë konsituimi. LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë siç e thotë edhe Kushtetuta. Për çështje të tjera, kemi afat kohor shtesë. Sa më herë të bëjmë zgjidhje, aq më mirë”, ka thënë ai.
Tutje, Abdixhiku e ka cilësuar si të mbarë takimin treorësh të zhvilluar me Kurtin, duke bërë të ditur se do të përpiqen që bisedimet t'i vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ka shtuar se LDK-ja ka hyrë në këto diskutime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me synimin për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, respektim të rezultatit zgjedhor dhe gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja, kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe shtetin. Ishte takim i mirë, i mbarë. I trajtuam çështjet e ndryshimeve programore, politike dhe të ardhmeve strategjike. Do të përpiqemi edhe ditëve në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”, ka thënë Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK-ja mbetet në qëndrimet që i ka bërë publike më herët dhe se për formimin e institucioneve nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Qëndrojmë brenda parimeve tashmë të bëra publike. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, u shpreh ai.
Abdixhiku bëri të ditur se takimet me Kurtin do të vazhdojnë, duke paralajmëruar se mosarritja e një marrëveshjeje do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Nëse s’bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja”, deklaroi kryetari i LDK-së.
Kurti pas takimit me Abdixhikun: S’ka marrëveshje
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se ende nuk kanë arritur marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas takimit treorësh që pati sonte me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku. Kurti ka potencuar se ka vullnet e zell për të punuar bashkë këto dy parti, por kanë nevojë për një marrëveshje që e respekton rezultatin zgjedhor.
“Sa i përket takimit me LDK-në, lajm do ishte po të kishim marrëveshje, marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, mundësitë... kemi nevojë për marrëveshje politike që e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë por e shndërron rezultatin dhe në kontribut për stabilitet institucional. Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk do kemi marrëveshje, nëse nuk do kemi hapa përpara përkundër mosdëshirës për zgjedhje të reja fatkeqësisht do të mund të shkaktohen”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se VV-ja është e interesuar për bashkëpunim me LDK-në, ndërkohë që për çështjen e presidentit ka theksuar se duhet të jetë emër jopolitik.
"Jemi të interesuar e gatshëm të bashkëpunojmë me LDK sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar. Por pozita e presidentit qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të ishte pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Të shohim çfarë sjell komunikimi i ardhshëm. Emri konkret duhej të ishte konsensual gjithëpërfshirës".
Kurti ka përmendur edhe kryetarët e PDK-së dhe të Aleancës, për të cilët ka thënë se prapë është i gatshëm t’i takojë edhe pas refuzimit të tyre për takim.
“Ajo që është lajm është që sërish nuk munda të takohem me kryetarin e Aleancës. Është e paarsyeshme të mos takohemi. Në anën tjetër, e kemi një situatë jo të lehtë sepse kryetari i PDK-së u vetëpërjashtua në fillim të procesit të bisedimeve. Vullneti dhe gatishmëria ime do jenë gjithmonë aty. Jam i gatshëm të takohem edhe me kryetarin e AAK-së dhe të PDK-së. Për interes shtetëror edhe nëse kemi mospajtime nuk besoj që të gjitha mospajtimet ngelen të tilla nëse ne takohemi dhe përpiqemi që t’i rrëzojmë ato”, ka deklaruar Kurti.
Takimi Kurti–Abdixhiku kalon dy orë e gjysmë
Kanë kaluar dy orë e gjysmë prej që ka nisur takimi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Takimi ende nuk ka përfunduar.
Si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku kanë paralajmëruar deklarim për media pas takimit.
Kurtin e ka shoqëruar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
E bashkë me Abdixhikun në takim është edhe Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit ishte bartëse e listës së LDK-së, dhe nënkryetari Lutfi Haziri.
Abdixhiku shkon bashkë me Osmanin e Hazirin në takim me Kurtin
Ka nisur takimi i paralajmëruar i kryeministrit në detyrë, njëherit kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Në takim te Kurti, bashkë me Abdixhikun ka shkuar edhe Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e fundit ishte numër një në listë të LDK-së.
Gjithashtu në takim ka shkuar edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ndërsa Kurtin e ka shoqëruar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Para takimit, Kurti u shpreh optimist për marrëveshje.
E Lëvizja Vetëvendosje u ka dërguar ftesa një ditë më parë të tri partive tjera parlamentare shqiptare. Takimi menjëherë u refuzua nga Partia Demokratike dhe Aleanca.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë partia e vetme që ka pranuar ftesën për takim.
Kurti para takimit me Abdixhikun: Shkoj me vullnet të mirë dhe gatishmëri për marrëveshje
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me synim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Ai tha se dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti.
Kurti tha se takimi me Abdixhikun do të mbahet në formatin “1+1”, ndërsa ai do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha ai.
Ai theksoi se takimi me LDK-në synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.
“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai.
Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.
“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha ai. /EkonomiaOnline