Gati tri javë para zgjedhjeve lokale, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të lirojë nga pagesa e “Trafikut Urban” disa kategori të caktuara, që përfshijnë edhe nxënësit e shkollave të mesme, studentët, mjekët e mësimdhënësit.
Sipas vendimit të nënshkruar nga kryetari i komunës, Përparim Rama, disa kategori të caktuara do të përjashtohen nga pagesa për shfrytëzimin e transportit publik në qytet, duke filluar nga data 1 tetor 2025.
Vendimi parasheh që nga pagesa për Trafikun Urban të lirohen këto kategori:
“Lirohen nga pagesa e Trafikut Urban kategoritë si në vijim: 1.1. Stafi shëndetësor dhe stafi administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve shëndetësore të Kryeqytetit; 1.2. Stafi mësimor dhe stafi administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve arsimore të Kryeqytetit, përfshirë institucionet parashkollore; 1.3. Të gjithë punonjësit e administratës së Kryeqytetit të të gjitha niveleve, përfshirë institucionet varëse të Kryeqytetit; 1.4. Të gjithë nxënësit dhe shkollave te mesme të Kryeqytetit; 1.5. Të gjithë studentët e Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, ndërsa zbatimi i tij fillon nga data e përcaktuar – 1 tetor 2025.
“Transformimi i Transportit Urban vazhdon! Nga 1 tetori, me këtë vendim, transporti urban do të jetë falas për: Stafin shëndetësor, si dhe stafin administrativ, teknik dhe mbështetës të të gjitha institucioneve shëndetësore të Kryeqytetit; Stafin mësimor, si dhe stafin administrativ, teknik dhe mbështetës të të gjitha institucioneve arsimore të Kryeqytetit, përfshirë edhe institucionet parashkollore; Të gjithë punonjësit e administratës së Kryeqytetit, në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe institucionet vartëse të tij; Të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në Kryeqytet; Të gjithë studentët e Kryeqytetit. Qytetarët janë prioriteti ynë, për një Prishtinë më të gjelbër dhe me më pak vetura!” – ka shkruar Rama në Facebook.
