Arbëri

Limaj: S’jemi të interesuar të jemi në qeverisje, së shpejti do të ketë marrëveshje politike

Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se ky subjekt politik është i gatshëm t'ia japë Lëvizjes Vetëvendosje tri vota për, me qëllim të tejkalimit të krizës disamujore në Kuvend.

Ai ka thënë se Nisma do të japë kontribut në partneritet në Kuvend, por jo në qeverisje pasi tha se “ne nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e Qeverisë”.

“Nisma do të jetë pjesë e zgjidhjes, sepse kështu e do Kosova. Ne me tre deputetë s’mund të bëhemi pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes. Nisma është e gatshme të japë kontributin e vetë në partneritet në Kuvend, por jo në qeverisje. Ne nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e qeverisë. Nuk jemi të interesuar të zëmë një pozicion duke shfrytëzuar momentin që kemi”, ka thënë Limaj të hënën në A2 CNN.

Limaj ka shtuar se do të mbështesë shumicën për të dalë Kosova nga kriza, duke shtuar se ka komunikuar me përfaqësues të partive politike.

“Asnjëra s’ka shumicë për të krijuar vetë institucione. Kemi një fitues relativ si parti e parë, por që s’e ka shumicën për të krijuar institucione. Në këtë rast, futen në veprim instrumente demokratike si kanë ndodhur gjithmonë, negocimi për marrëveshje politike...Preferenca jonë ka qenë të kemi qeverisje të ndryshme, partia që ka qenë në pushtet i ka 42 për qind. E ato në opozitë kanë më pak vota. Në realitetin e krijuar kam komunikuar me drejtues politik për të gjetur zgjidhje”, është shprehur ai.

Sipas Limajt, Kosova së shpejti do t’i formojë institucionet.

“Partia e parë duhet të vrapojë të bëjë shumicën parlamentare dhe partia e dytë, e tretë dhe radhazi duhet të largohen nga egot individuale dhe të ofrojnë bashkëpunimin për të dalë nga kriza...Në fund të ditës besoj se po, do të vijmë në një marrëveshje politike. Do të arrihet besoj shpejt, Kosova do t’i ketë institucionet”, ka thënë ai.