Kritika ndaj kryeministrit Kurti kanë drejtuar liderë opozitarë, një ditë pas zbatimit të vendimit të Kushtetueses për pronat rreth Manastirit të Deçanit. Ata thanë se vendimet e Kushtetueses janë të pakontestueshme, por akuzuan kryeministrin se ka mbajtur qëndrim kundër tyre vetëm për qëllime elektorale
Liderë opozitarë e kanë cilësuar mashtrues kryeministrin Albin Kurti pas urdhrit të tij adresuar Agjencisë Kadastrale për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit të Deçanit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi të enjten se vendimet e Kushtetueses janë të pakontestueshme, por tha se kryeministri ka mbajtur qëndrim kundër tyre vetëm për qëllime elektorale.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të pakontestueshme dhe kur them të pakontestueshme nënkupton që ato janë të zbatueshme. Është shenjë e pjekurisë politike e demokratike për një shoqëri dhe ky ka qenë qëndrimi i LDK-së gjatë gjithë kohës. Fatkeqësisht zoti Kurti ka zgjedhur me vetëdije të plotë që me kauza të tilla të rrejshme ta ndërtojë bazën për të ardhur në pushtet. E tani në pushtet ka kuptuar se kauzat e rrejshme nuk qëndrojnë, por gjithsesi ato janë të dëmshme”, ka thënë Abdixhiku.
E, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se kryeministri po zbaton vendimin për të cilin njerëzit i ka quajtur tradhtarë.
“Albini është përpjekur ta bindë opinionin rrejshëm që nuk do ta miratojë kurrë dhënien e tokave Manastirit të Deçanit. Ka dalë në foltoren e parlamentit duke mos i përmendur deklarimet nëpër media dhe realisht ata që i kanë marrë vendimet i ka quajtur tradhtarë dhe kjo e demanton besimin dhe premtimin që ua ka dhënë votuesve të vet”, është shprehur Haliti.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë që Kosova po bën kompromise pa marrë rezultate.
“Për Këshillin e Evropës, anëtarësimin në Këshill, Kosovës po i kërkohet një paketë masash. Ne për të ecur drejt NATO-s na duhet kandidatura për në BE. Çka do të na kërkohet në kandidaturën për BE dhe si mund të ecim drejt NATO-s pa folur për anëtarësimin në OKB? Pra, kjo qeveri po i harxhon të gjitha kartat në dorë, ende pa mbërri rezultate apo suksese, kryesisht për ta ruajtur popullzimin”, ka theksuar Haradinaj
Një ditë më parë, kur kryeministri Kurti e kumtoi në mbledhjen e Qeverisë urdhrin dhënë Agjencisë Kadastrale, theksoi se veprimi u ndërmor për ta siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sipas tij, nëse vendimi nuk do të zbatohej tash, Kosova do të hiqej nga agjenda e anëtarësimit.
Për 24 hektarët ka pasur një proces gjyqësor për 16 vjet, të cilit në vitin 2016 i dha epilog Gjykata Kushtetuese ku ia njohu të drejtën Manastirit të Deçanit për pronësi të këtyre tokave.