Përfundimi i procesit të dialogut me Serbinë me njohje reciproke, ka qenë thirrja e të gjitha partive opozitare ndaj përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak.
Në takimet që të martën kanë pasur liderët opozitarë me Lajçakun, është theksuar rëndësia e përmbylljes së bisedimeve me marrëveshje finale.
Që të gjitha takimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura e pa njoftim paraprak për mediat.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se përveç për dialogun, me përfaqësuesin e BE-së është diskutuar edhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
“Zotëri Lajçak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmerren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Krasniqi.
Kurse, sipas njoftimit të LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku ka kërkuar përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit.
“Kryetari Abdixhiku ia rikonfirmoi përfaqësuesit special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, me normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, Lajçakut thotë t’ia ketë përmendur edhe rolin e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.
“Në takim me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, z. Miroslav Lajçak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve”, ka njoftuar Haradinaj.
Ndërkaq Lajçaku në një shkrim në Twitter ka thënë se e mirëpret “përkrahjen e fuqishme” të opozitës për dialogun.
Në Kosovë, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ka ardhur të hënën, me ç`rast është takuar me kryeministrin Albin Kurti, i cili ka thënë se angazhohet për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje që në qendër e ka njohjen reciproke.
Vizita e Lajçakut përmbyllet të mërkurën, paraditen e së cilës do të mbajë një konference për media.