Nisma Socialdemokrate në Gjilan është parti e katandisur si mos më keq dhe pa zot shtëpie. Pas shkarkimit të Bajram Hasanit, në strukturat e saj organizative mungon koordinimi, ekziston një amulli e madhe ku nuk di se me kë duhet të flasësh e me kë duhet të koordinohesh, theksohet në njoftimin e Lëvizjes Qytetare Vatra të Gjilanit se ndërpret koalicionin me këtë parti. Njoftimi është nënshkruar nga kryetari i LQ Vatra, Kushtrim Kadriu.
Që prej se z. Hasani nuk është më ministër, ansambleistët janë të çakorduar dhe shihen sikur kanë mbetur pa zot shtëpie, veprojnë pa koordinim dhe votojnë në kuvend sipas qejfeve, prandaj duke e parë këtë çakordim të skajshëm të ansambleistëve të Nismës Socialdemokrate dhe mospozicionimin e qartë në Kuvend ne nuk e shohim të arsyeshme të qëndrojmë e pajtohemi duke heshtur në këtë situatë.
Duke e parë këtë gjendje qesharake ne si Lëvizje nuk do ta vazhdojmë bashkëpunimin me këtë parti, e cila është e lidhur ngushtë për interesa familjare.
Nga sot Lëvizja Qytetare Vatra do të veprojë si e pavarur dhe ndaras Nismës, duke i uruar kësaj të fundit që sa më shpejt të dalë nga kjo gjendje e të mos jetë vetëm një subjekt i punësimeve familjare, thuhet në fund të njoftimit të Lëvizjes Qytetare Vatra në Gjilan.